Ten Hag: United po kërkon De Jong? Nuk e paskam ditur

Futboll

Ten Hag: United po kërkon De Jong? Nuk e paskam ditur

Më: 5 gusht 2022 Në ora: 17:15
Erik ten Hag

Në prag të ndeshjes së parë të sezonit të ri 2022/23 të Premier Ligës, trajneri i Manchester United, Erik ten Hag ka deklaruar se ai është i lumtur me gjendjen e skuadrës së tij.

United e nis sezonin e ri të dielën kundër Brighton në “Old Trafford”, pasi ka nënshkruar vetëm tre lojtarë të rinj gjatë afatit kalimtar të verës, por Ten Hag ka hedhur poshtë sugjerimet se skuadra e tij është e dëshpëruar për përforcime të reja.

“Jam i lumtur me skuadrën, jam i lumtur me transferimet e deritanishme. Ne jemi duke punuar në tërësi. Jam i kënaqur me skuadrën aktuale dhe ne kemi nevojë për lojtarët e duhur”, tha Ten Hag.

Një lojtar që United ka tentuar ta transferojë gjatë gjithë verës është mesfushori i Barcelonës, Frenkie de Jong, por pavarësisht se u pranua një ofertë për të muajin e kaluar, lojtari mbetet ende në Spanjë.

“Duam Frenkie de Jong? Nuk e dija! Bëhet fjalë për lojtarët e duhur. Nuk mund të komentoj për një lojtar të kontraktuar me një klub tjetër. Kur të kemi lajme, do t’i sjellim”, tha trajneri i United.

Hera e fundit që Manchester United u përball me Brightonin ishte në muajin maj të këtij viti, ku asokohe “Djajtë e Kuq” u shkatërruan me rezultat 4:0.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat