Beart Zhubi, Elvir Gashijani dhe Venis Havolli marrin ftesë nga Besiktas-i

Futboll

Beart Zhubi, Elvir Gashijani dhe Venis Havolli marrin ftesë nga Besiktas-i

Më: 6 gusht 2022 Në ora: 16:52
2 Korriku

Edicioni i parë i “International Football Tournament”, pos që ishte turneu i parë ndërkombëtar i organizuar në Kosovë, tash po vërtetohet se si ky turne ka ndikuar edhe në një sferë tjetër, në atë të promovimit të talentëve. Kësisoj, si rrjedhojë e paraqitjeve të jashtëzakonshme në turne, treshja e futbollistëve “verdheblu”, Beart Zhubi, Elvir Gashijani dhe Venis Havolli, janë shpërblyer me ftesë zyrtare nga Besiktas J.K., për t’u testuar për dy javë me radhë në akademinë e klubit turk, njofton KF 2 korriku i Prishtinës.

Pa dyshim se këto ftesa nuk janë të rastësishme, sepse secila ndeshje e zhvilluar në stadiumin e 2 Korrikut në kuadër të “International Football Tournament”, është vëzhguar me shumë vëmendje nga trajnerët e akademisë së Besiktas, të cilët tashmë kanë nisur të veprojnë në anën tjetër për të cilën edhe është organizuar turneu, në atë të dhënies së mundësive për futbollistët nga vendi jonë që të testohen në klube të mëdha që kanë traditë e janë emra të njohur në futboll, siç edhe është rasti me vet klubin nga Turqia, Besiktas J.K..

Treshja nga klubi i 2 Korrikut, Zhubi, Gashijani dhe Havolli, tashmë kanë zbarkuar në Stamboll, vend në të cilin do të qëndrojnë plot katërmbëdhjetë ditë, ditë këto që do të jenë shumë të ngarkuara me seanca stërvitore e testime të cilat do të ua mundësojnë futbollistëve nga Kosova që të tregojnë edhe një herë potencialin e tyre dhe pse jo, të kalojnë përfundimisht në ekipin turk.

Duhet cekur se me futbollistët në Turqi, është edhe trajneri turk që angazhohet në Klubin e Futbollit “2 Korriku”, Gökhan Yusufoglu, i cili kujtojmë se erdhi në Kosovë pikërisht si rrjedhojë e marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Klubit të Futbollit 2 Korriku” dhe akademisë turke të Besiktas J.K”, njofton klubi prishtinas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat