Galtier: Asgjë nuk ndodhi te penallti

Futboll

Galtier: Asgjë nuk ndodhi te penallti

Më: 19 gusht 2022 Në ora: 17:57
Galtier

“Penaltigate” te PSG vijon të shkaktojë polemika e debate një javë pasi ndodhi. Diskutimi para golit të dytë të skuadrës pariziene ndaj Montpellier ka mbërritur në zyrat e drejtuesve sportivë të skuadrës franceze, ku janë përfshirë drejtori sportiv Luis Campos dhe trajneri Christophe Galtier.

Pikërisht për këtë situatë dhe bisedën që ai dhe Campos kanë bërë me dy yjet, trajneri francez ka folur në konferencën për shtyp, para ndeshjes ndaj Lille. Galtier e minimizoi situatën dhe tha se këto janë gjëra që zhduken të nesërmen e lojës:

“Nuk ka problem, është një fenomen i parëndësishëm. Ne u takuam shpejt për t’i sheshuar të gjitha këto dhe për t’i thënë njëri-tjetrit atë që kishim për të thënë mes nesh. Ju them sinqerisht që kishim një javë shumë të mirë për t’u përgatitur për ndeshjen kundër Lille. Gjithçka u zhduk të nesërmen e festës”.

Problemi i shkaktuar në ditën e dytë të Ligue 1 kundër Montpellier mund të kishte ndryshuar hierarkinë e skuadrës në lidhje me penalltitë, por trajneri i PSG-së u shpreh i hapur për këtë: “Hierarkia ndryshon në varësi të asaj se kush është në fushë. Kylian ishte gjuajtësi numër dy në ndeshjen kundër Montpellier.

Neymar do të jetë gjuajtësi numër dy në ndeshjen e radhës. Asgjë nuk ndodhi në penallti kundër Montpellier, pati një debat dhe Neymar u ndje mirë që shënoi. Përveç kësaj, Messi dhe Ramos mund të jenë gjuajtës të penalltive. Është përgatitja e ndeshjes dhe ajo që vendoset aty duhet të respektohet.

Pastaj është situata e ndeshjes dhe iu takon lojtarëve të jenë inteligjentë në varësi të situatës. Situata mund të përfundojë në dhënien e një dhurate një kolegu ose të largohet mënjanë për ta qetësuar atë”.

Veç kësaj, Galtier heshti thashethemet për marrëdhëniet e mundshme të këqija midis Mbappé, Neymar dhe Messi: “Ky trident ishte efikas sezonin e kaluar. Ata janë në kërkim të golit gjatë gjithë kohës. Është një treshe e vërtetë dhe jo një duet Messi-Neymar. Është e lehtë ta integrosh Kylian për të luajtur”.

Së fundi, trajneri i PSG-së foli edhe për largimin e mundshëm të Neymar, duke thënë se nuk e kishte menduar, por se merkato mund të ketë surpriza: “Merkatoja mund të sjellë surpriza. ‘Ney’ nuk kërkoi të largohej. Ai ka një paraqitje të mirë në ndeshje dhe stërvitje. Neymar nuk është një lojtar që pret të largohet, por merkatoja është merkato dhe kurrë nuk i dihet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat