Krijohet Shqipëria U-15 për femra, zhvillohet seleksionimi i parë

Futboll

Krijohet Shqipëria U-15 për femra, zhvillohet seleksionimi i parë

Më: 26 gusht 2022 Në ora: 12:20
Krijohet Shqipëria U-15

Futbolli i femrave është një nga prioritetet absolute të Federatës Shqiptare të Futbollit, ashtu si edhe ekipet kombëtare, të prezantuara edhe në strategjinë “Futbolli për Kombin 2022-2025”.

E puna ka nisur konkretisht tashmë, për të treguar më shumë vepra e për të lënë pas fjalët. Një nga pikat kryesore në shtyllën e ekipeve kombëtare ka qenë pikërisht krijimi i një skuadre për grupmoshën U-15 për femra deri në vitin 2023.

Krijimi i një ekipi të tillë sigurisht që ndihmon më shumë në rritjen e ekipeve kombëtare për femra, teksa përmes grumbullimeve e seleksionimeve, ato do të kenë mundësi të tregojnë cilësitë e tyre e të përfaqësojnë ekipet e moshave, për të kaluar më pas tek ekipi A.

Pikërisht këtë të enjte, Shqipëria U-15 për femra ka zhvilluar seleksionimin e parë në Kamëz me futbolliste shqiptare të datëlindjes 2008 që aktivizohen në kampionatin vendas U-16, një iniciativë e FSHF-së, që uli siparin në qershor, ku ekipi i Vllaznisë ia doli të shpallej kampione.

Një pjesë e këtyre vajzave vijnë edhe nga kampionatet e shkollave 9-vjeçare në disa zona të Shqipërisë, ku vetëm këtë vit kanë luajtur futboll rreth 887 vajza.

Nën drejtimin e trajnerit Kreshnik Krepi, 27 lojtare të datëlindjes 2008 kanë marrë pjesë në një seleksionim që u zhvillua në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz.

Qëllimi i këtij seleksionimi ishte për të testuar e për të ndjekur gjendjen e këtyre futbollisteve të vogla, të cilat më pas do të kenë mundësinë të veshin për herë të parë fanellën kuqezi dhe të përfaqësojnë Shqipërinë në turneun zhvillimor për këtë grupmoshë që do të zhvillohet në Bosnje – Hercegovinë.

Për rreth 2 orë, stafi kuqezi i ekipit U-15 të krijuar rishtaz zhvilloi një seancë të lehtë stërvitore, ndërsa më pas vajzat u ndanë në dy skuadra për të zhvilluar një ndeshje kontrolli.

Në ditët në vijim, Shqipëria U-15 do të nisë edhe grumbullimin dhe trajneri Krepi do të shpallë listën me lojtaret e grumbulluara, teksa seleksionimi ishte një mundësi për të krijuar idenë e qartë për 20 futbollistet që do të udhëtojnë drejt Bosnjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat