KF Tirana e mbyll në vendin e dytë grupin kualifikues

Futboll

KF Tirana e mbyll në vendin e dytë grupin kualifikues

Më: 28 gusht 2022 Në ora: 11:26
KF Tirana

Janë luajtur këtë të shtunë ndeshjet e fundit të UEFA Futsal Champions League të vlefshme për raundin para-eliminator të Grupit G, që u zhvilluan në sallën e Parkut Olimpik të Tiranës në kryeqytetin shqiptar.

Në ora 17:00 është zhvilluar ndeshja Belfast United – Apoel FC, që përfundoi me rezultatin 4-7 në favor të ekipit qipriot. Apoel merr kështu tre pikët e para në grup pasi ishte mundur në dy sfidat e tjera.

Në sfidën e fundit që nisi në 20:45, Tirana u përball me Differdange në atë që ishte praktikisht edhe finalja e grupit. Bardheblutë e nisën mirë ndeshjen dhe kaluan në avantazh me Selmanj e më ps Alaj shënoi dy herë duke e mbyllur pjesën e parë me epërsinë 3-0.

Në pjesën e dytë skuadra nga Luksemburgu arrin të rikuperojë duke shënuar dy herë me Rejala dhe më pas Martinez barazon rezultatin në 3-3. Në sekondat e fundit Differdange shënon edhe golin e katër me anë të Garridos, duke triumfuar me rezultatin 4-3.

Pavarësisht kësaj humbjeje duhet theksuar se KF Tirana bëri një paraqitje të mirë, duke iu afruar shumë kualifikimit për në turin tjetër e duke u mundur nga favoritja e grupit. Bardheblutë e mbyllën grupin në vendin e dytë me 6 pikë të marra në tre ndeshje.

Të gjashta ndeshjet e vlefshme për Grupin G të raundit para-eliminator të UEFA Futsal Champions League u luajtën në Tiranë në datat 24-27 gusht dhe u organizuan nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ashtu si edhe vitin e kaluar, duhet theksuar se gjithçka ka shkuar në mënyrën më pozitive të mundshme dhe FSHF ka organizuar sërish me sukses ndeshjet e vlefshme për turneun më të rëndësishëm të turneut kontinental për futbollin e sallës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat