Chelsea krahasim me pesë javët e para të sezonit të kaluar

Futboll

Chelsea krahasim me pesë javët e para të sezonit të kaluar

Më: 31 gusht 2022 Në ora: 12:09
Chelsea krahasim me pesë javët e para të sezonit të kaluar

Chelsea pësoi humbjen e dytë përballë Southampton në pesë javët e para të Premier League, me rezultatin 2-1. “Blutë e Londrës” po shfaqin shumë probleme sidomos në repartin e prapavijës, ku deri më tani kanë pësuar tetë gola dhe ka shënuar vetëm gjashtë.

Nga klubi londinez janë larguar shumë emra të rëndësishëm në merkato, që kanë ndikuar jo pak te Chelsea. Rudiger dhe Christensen u transferuan të dy drejt La Liga, për të lënë mbrojtjen e Chelsea në errësirë.

Te “Blutë e Londrës” nga sezonin i kaluar vazhdon i vetëm veterani 37-vjeçar Thiago Silva. Ndërsa partneri i tij i ri në qëndër të mbrojtjes është Koulibaly.

Pavarësisht se senegalezi e nisi mirë aventurën e tij me Chelsea, i cili shënoi dhe gol në derbi përballë Tottenham, menjëherë më pas ai u ndëshkua me karton të kuq në humbjen e parë përballë Leeds United.

Chelsea deri më tani në pesë ndeshje ka grumbulluar vetëm shtatë pikë. Ndërsa në sezonin e kaluar në pesë javët e para londinezët ishin në kuotën e 13 pikëve dhe nuk kishin pësuar asnjë humbje. I vetmi barazim ishte përballë Liverpool.

Deri më tani Chelsea kryeson merkaton për shumën e shpenzuar në Angli, por blerjet e reja janë ende larg pritshmërive dhe një tregues mjaftë i qartë është krahasimi me sezonin e kaluar, me të besuarit e trajnerit Tuchel që po dalin jasht objektivave që në fillim e sezonit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat