E shkarkoi Egjipti se nuk arriti dot Botërorin, e emëron trajner finalisti tjetër i “Katar 2022”

Futboll

E shkarkoi Egjipti se nuk arriti dot Botërorin, e emëron trajner finalisti tjetër i “Katar 2022”

Më: 7 shtator 2022 Në ora: 15:41
Ilustrim

Rikthim në Iran. Rikthim në Kupën e Botës, si katër vjet më parë në Rusi dhe tetë vjet më parë në Brazil, kur kombëtarja e vendit të Lindjes së Mesme u ndal në grup, pa arritur të kalonte në raundin e dytë. Carlos Queiroz nuk i rezistoi dot mundësisë për të qenë sërish trajner në një fazë finale të Kupës së Botës dhe tha “po”. Ai do të drejtojë sërish në “Katar 2022”.

Zyra e shtypit e Federatës së Futbollit të Iranit ka njoftuar se ka liruar komisionerin e mëparshëm teknik, kroatin Dragan Skocic. Në vend të tij, portugezi Queiroz, 69 vjeç, ish-asistent i Alex Ferguson te Manchester United dhe më pas trajner, pa fat, te Real Madridi galaktik.

“Federata i është mirënjohëse Dragan Skocic për përpjekjet e tij dhe kualifikimin në Kupën e Botës, por pas vendimit të bordit drejtues, Carlos Queiroz është zgjedhur trajner i ri, – thuhet nga zyra e shtypit e futbollit vendas. – Shpresojmë që ndeshjet e kombëtares, siç ndodhi në dy Botërorët e mëparshëm me Queiroz, të sjellin kënaqësi dhe lumturi”.

Queiroz e kishte trajnuar Iranin për 7 vjet, 2011-2019. Dhe, siç u përmend tashmë, ai ishte kualifikuar dy herë në Kupën e Botës: të parën në Brazil, më 2014, të dytën në Rusi, më 2018. Në të dyja rastet është eliminuar në fazën e grupeve. Kujtimi i tij, brenda dhe rreth Teheranit, nuk është zbehur kurrë.

Queiroz, megjithatë, kishte humbur kualifikimin për Kupën e Botës në Katar. Në fund të marsit ishte trajneri i Egjiptit, që humbi me penallti në play off-in e dyfishtë kundër Senegalit, nga i cili ishte mposhtur tashmë disa javë më parë në finalen e Kupës së Kombeve të Afrikës. Një zhgënjim i dyfishtë që kishte çuar në ndarje.

Irani i ofroi një shans të ri ish-trajnerit të Real Madridit. Ai është kthyer në atë që, me statistikat në dorë, është shtëpia e tij e futbollit. Kombëtarja iraniane ndodhet në një grup me Anglinë, SHBA dhe Uellsin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat