Shqipëria i rrëmben Kosovës talentin e U21

Futboll

Shqipëria i rrëmben Kosovës talentin e U21

Më: 9 shtator 2022 Në ora: 23:56
Shqipëria i rrëmben Kosovës talentin e U21

Ndeshjet miqësore që ka planifikuar Shqipëria U21 për muajin shtator, do të shërbejnë për të parë në veprim edhe një lojtar i cili mund të jetë e ardhmja e kuqezinjve.

Medon Berisha, ylli i ri i skuadrës së Leçes, duket se ka vendosur të largohet nga Kosova të cilën e ka përfaqësuar deri tani, për të riveshur fanellën kuqezi.

Shqipëria U21 luan në një turne në Kroaci ndaj Maqedonisë së Veriut më datë 23 shtator dhe vendasve më datë 25 shtator. Alban Bushi do të testojë brezin e lojtarëve që marrin pjesë në eliminatoret e ardhshme dhe mes emrave të përzgjedhur është edhe ai i Medon Berishës.

Djaloshi 18-vjeçar, i cili ka shkëlqyer në futbollin zviceran në akademinë e Jang Bojs, u transferua gjatë verës në Itali te skuadra e Leçes dhe ka marrë vlerësime të mëdha nga ekspertët e futbollit italian të cilët janë të sigurt se që në këtë edicion atij do t’i jepet mundësia të debutojë në Serinë A.

Sa i përket përfaqësueses, Berisha fillimisht iu bashkua Shqipërisë duke luajtur dy miqësore me U19 në vitin 2021, para se t’i bashkohej Kosovës U21 për të luajtur me të dy ndeshje zyrtare në qershorin e këtij viti. Por me sa duket, lojtari ka vendosur të kthehet përsëri te ngjyrat kuqezi dhe kjo konfirmohet edhe nga njoftimi që ka bërë klubi i Leçes, i cili ka zyrtarizuar ftesën që ka mbërritur nga Shqipëria për djaloshin e talentuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat