Çokaj zyrtarisht i Panathinaikosit

Futboll

Çokaj zyrtarisht i Panathinaikosit

Më: 16 shtator 2022 Në ora: 12:49
Çokaj zyrtarisht i Panathinaikosit

Enis Çokaj ka bërë një hap të madh në karrierë. Mesfushori i kombëtares shqiptare është zyrtarizuar te gjiganti grek Panathinaikos, pasi këta të fundit arritën marrëveshjen e me Lokomotivën e Zagrebit për ta transferuar.

Djaloshi nga Malësia e madhe ka nënshkruar një kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2026 dhe është gati për aventurën e re. Çokaj kishte nisur sezonin e katërt në kampionatin kroat dhe shpesh ishte përfshirë në më të mirët e javës atje.

Lokomotiva Zagreb kishte qenë e hapur gjithë kohën për oferta dhe më parë kishte pasur “ngacmime” nga Dinamo Zagreb për ta blerë shqiptarin. Gjithsesi nuk pati një marrëveshje dhe tani Çokaj kalon te Panathinaikos.

Klubi kroat i Lokomotivës ka zbuluar në rrjetet sociale se mesfushori kalon te grekët për më shumë se 1 milion euro, pa detajuar shifrën e saktë. Kur e mendon që kroatët e morën falas nga Shkëndija e Tiranës, kjo marrëveshje është mjaft e leverdishme për ta.

Çokaj, pasi për 6 muaj luajti në Superiore me Laçin në huazim, nga vera e vitit 2019 ishte një titullar fiks te Lokomotiva, duke luajtur më shumë se 100 ndeshje në të gjitha kompeticionet.

Me paraqitjet e bëra në Kroaci mesfushori fitoi edhe ftesën në kombëtaren e Shqipërisë, me të cilën edhe debutoi në kualifikueset e Botërorit 2022 në duelin kundër San Marinos në “Elbasan Arena”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat