Nëse një lojtar zgjedh Shqipërinë ose Zvicrën e jo Kosovën, çfarë thotë Genc Sermaxhaj?

Futboll

Nëse një lojtar zgjedh Shqipërinë ose Zvicrën e jo Kosovën, çfarë thotë Genc Sermaxhaj?

Nga: K. G. Më: 20 shtator 2022 Në ora: 15:16
Genc Sermaxhaj

Gjatë viteve të fundit kemi lojtarë nga diaspora që zgjedhin Zvicrën, Gjermaninë, Shqipërinë, Suedinë apo ndonjë shtet tjetër, para Kosovës.

Analisti i futbollit, Genc Sermaxhaj, ka shtjelluar këtë problematikë dhe duke treguar a është e drejtë e tyre apo jo.

“Lojtarët të cilët jetojnë dhe luajnë në klubet evropiane, primare duhet ta kenë fanellën e përfaqësues së Kosovës, por kanë të drejtë të zgjedhin edhe Kombëtaren e Shqipërisë ose të shteteve ku ata janë rritur dhe zhvilluar si futbollistë.

Zgjedhja e tyre është e lirë dhe ekskluzivisht e drejtë e tyre dhe e familjarëve të tyre, ngase karriera e një futbollisti është shumë e shkurtër, ndërsa zgjedhja që ata bëjnë, është kryekëput zgjedhje e karrierës së tyre. 

Nëse një lojtar zgjedh të përfaqësoj Zvicrën e jo Kosovën, në aspektin personal të lojtarëve padyshim që është me mundësi më të mëdha, sepse të luash për Zvicrën gjasat janë më të mëdha të jesh në Evropian e Botëror, sesa me Kosovën. Dhe të luash në aso ngjarje kaq të mëdha të futbollit, padyshim që për futbollistët është një ëndërr e realizuar dhe plus i madh për më tutje.

Ne para se të flasim, të kritikojmë, e të akuzojmë një lojtar apo një prind të tij, për një zgjedhje tjetër para Kosovës, do duhej të dijmë saktë se çfarë ka ngjarë në bisedat dhe marrëveshjet që këto palë kanë bërë me zyrtarët menaxhues apo drejtues të asaj përfaqësuese, dhe sa janë ndier të sigurt për zgjedhjen që do ta bëj lojtari, sepse e gjitha kjo ka të bëj me karrierën e tyre, ëndrrën e tyre dhe sakrificën që e kanë bërë prindërit për fëmijët e tyre deri në ato momente.

Prandaj dëshira jonë e madhe që lojtarët të zgjedhin Kosovën, duhet të jetë e arsyeshme dhe e pranueshme kur ata vendosin të zgjedhin Shqipërinë ose vendin ku janë rritur, jetojnë e zhvillohen si futbollistë. 

Fundja, tifozët duan që Kosova të jetë sa më e fortë e të ketë suksese kur lojtarët ftohen për të qenë pjesë e Kosovës, por karriera e shkurtër dhe mundësia që mund t’ia ofroj një vend tjetër, zgjedhjen duhet ta kenë të lirë, dhe ne duhet t’i kuptojmë ata.

Në momentin që Kosova u pranua në FIFA dhe UEFA, Shqipëria nga viti në vit filloi të mbetej pa lojtarët Kosovarë, por çfarë bëri: angazhoi një ekip njohësish të futbollit të cilët përcjellin lojtarët e rinj shqiptarë në Evropë dhe me projektin e tyre filluan ti joshin duke mbajtur grumbullime e ftesa për lojtarët.

Pra ka qenë një hap para nesh në këtë aspekt. Por një përfaqësuese duhet të ketë një plan e punë më ndryshe për joshjen dhe ofrimin e lojtarëve në moshat U15/ U17/ U19/ U21. Kjo formë e funksionimit, iu jep më shumë besim lojtarëve, prindërve të tyre, menaxherëve po ashtu, si projekt serioz e profesional.

Futbolli përveç se është lojë, është edhe profesion e karrierë. Lojtarët jetojnë nga futbollit dhe mbajnë familjet e tyre. Dhe zgjedhjet e tyre në shumicën e herave janë vendimtare për një vazhdim të mirë në karrierë. Andaj ne duhet të jemi të durueshëm, të arsyeshëm dhe të kujdesshëm për vendimet që ata marrin”, ka shkruar Sërmasxhaj në profilin e tij në facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat