Chiellini, i shkatërruar prej dy eliminimeve radhazi të Italisë nga Botërori

Futboll

Chiellini, i shkatërruar prej dy eliminimeve radhazi të Italisë nga Botërori

Më: 22 shtator 2022 Në ora: 12:33
Chiellini

“Roberto Mancini më donte te Manchester City rreth dhjetë vite më parë. Mendoj se do të kisha bërë shumë mirë në Premier League për nga karakteristikat”. Giorgio Chiellini është gjithpërfshirës në intervistën që dha për “Times” në ditët e rezervuara për kombëtaret.

Kombëtarja, nga e cila ish-juventini u largua pak muaj më parë, humbi kualifikimin në Botëror për të dytën herë radhazi. “Jemi ende të shkatërruar nga kjo, – shpjegon lojtari aktual i Los Angeles FC. – Sinqerisht nuk do ta kisha besuar kurrë.

Mendova se nuk mund të ndodhte, por përkundrazi. Qëndrova pjesë e kombëtares për aq kohë sa mund të isha pikë referimi për më të rinjtë. Të vazhdoja të qëndroja mënjanë ose të bëhesha barrë, nuk do të kishte kuptim”.

Më pas, reflektimet për karrierën e tij: “E kam kaluar pothuajse tërësisht në një ekip, Juventusin. Dhe kjo është e çuditshme për mënyrën si jam, për kuriozitetin tim për të zbuluar gjëra të reja, kultura të ndryshme. Dhjetë vite më parë Mancini më donte te Manchester City.

Fola me agjentë dhe profesionistë, por më pas nuk doli asgjë. Mendoj se liga angleze do të ishte perfekte për mua, për faktin se gjithmonë kam dhënë gjithçka në fushë. Tifozët do ta kishin vlerësuar shumë. Po flas për Chiellini e disa viteve më parë. Ritmi i Premier League është marramendës”.

Si po shkon sot në SHBA: “Mirë, por padyshim që gjuha është thelbësore. Kam studiuar anglisht në shkollë të mesme dhe gjithmonë e kam praktikuar gjuhën me shokët e skuadrës e kundërshtarët e mi gjatë viteve. Sidoqoftë, mund të bëj edhe më mirë në këtë aspekt”.

Gjithashtu, disa mendime për lojtarët anglezë me të cilët është përballur vitet e fundit. Duke filluar nga Fikayo Tomori i Milanit: “Kur ai luajti për Chelsea, sinqerisht nuk e mendoja se do të bëhej kaq i fortë dhe vendimtar në zonë. Ai më befasoi, sot është një nga pikat e forta të kuqezinjve. Kyle Walker? Nuk mendoj se mund të vraposh më shpejt se ai…”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat