Ibraimi: Pres spektakël në Çair, dëshirojmë së paku barazim

Futboll

Ibraimi: Pres spektakël në Çair, dëshirojmë së paku barazim

Më: 16 tetor 2022 Në ora: 11:43
Ibraimi

Kampioni kundër liderit. Shkupi kundër Strugës Trim Lum. Është e mrekullueshme – derbi i xhiros së 11-të në LPFM. Çairi “do të digjet”, po vjen Struga Trim LUm. Sot pasdite, nga ora 14:00 takohen skuadrat e Goce Sedlloskit dhe Srxhan Zaharievskit, dikur bashkëlojtarë në përfaqësuesen A të Maqedonisë.

Ka shumë për të folur për këtë ndeshje, një nga temat sigurisht që është Besart Ibraimi, golashënuesi më i mirë në historinë e LPFM-së, “bomberi” i parë edhe në sezonin aktual.

Për “Sportmedia” Ibraimi ka komentin e tij për këtë duel të sotëm…

“Pres një spektakël në Çair. Besoj se tribunat do të jenë të mbushura, kjo i jep një shije të veçantë çdo ndeshjeje. Sipas meje nuk ka asnjë favorit, të dyja skuadrat kanë ekstra kualitet për kushtet tona.

Ky do të jetë një nga ndeshjet më të vështira, në mos më të vështiri si mysafir për ne, pasi luajmë kundër kampionit. Shkupi duhet respektuar dhe respektuar sa më shumë. Por Struga Trim Lum ka llogaritë e veta”, thotë Ibraimi.

Për mënyrën se si do të luajë Struga TL, në çfarë mënyre do të përpiqet të arrijë fitoren e nëntë sezonale, Ibraimi është specifik:

“Si më parë, me përkushtim maksimal, me shumë motiv, me zbatim të detyrave strikte nga stafi teknik. E di që ne lojtarët do të japim maksimumin, do të luajmë sa më mirë. Nuk ka rëndësi nëse Besarti shënon gol në Çair, më e rëndësishme është që Struga të marrë një rezultat të mirë, të paktën një barazim”, ka përfunduar Ibraimi.

Në prag të kësaj ndeshje, diferenca mes dy skuadrave është 10 pikë në favor të struganëve. Në rast të triumfit të Strugës, e cila deri më tani ka 8 fitore dhe një barazim, duket se ky do të ishte edhe fundi i ambicieve të Shkupit për kampionat.

Ndeshja do të luhet sot në Çair nga ora 14:00, gjyqtar kryesor është Aleksandar Stavrev.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat