Ronaldo dhe “Topi i Artë”, detaji që do ta ketë tërbuar fare yllin portugez

Futboll

Ronaldo dhe “Topi i Artë”, detaji që do ta ketë tërbuar fare yllin portugez

Më: 18 tetor 2022 Në ora: 13:38
Ronaldo

Ashtu siç pritej, Karim Benzema fitoi “Topin e Artë” 2022. Qendërsulmuesi francez i Real Madridit, duke udhëhequr “Los Blancos” në fitimin e La Liga-s dhe Champions League sezonin e kaluar, e ka rikthyer trofeun në atdheun e tij, i themeluar nga “France Football”. E bëri këtë 24 vite pas Zinedine Zidane, i cili triumfoi më 1998, viti i fitores historike të Francës në Botërorin në shtëpi, titulli i parë botëror në historinë e “gjelave”.

Benzema është vetëm lojtari i katërt i ndryshëm që fiton çmimin që nga viti 1998, duke iu bashkuar Leo Messit dhe Cristiano Ronaldos, sundimtarët serialë të gati dy dekadave të fundit, dhe Luka Modric, i cili fitoi në vitin 2018, pikërisht vitin e titullit të dytë botëror të Francës, por pa Benzema, i përjashtuar nga kombëtarja për rastin e famshëm Valbuena.

Qendërsulmuesi e ka marrë çmimin nga duart e vetë Zidane dhe jo nga ato të Cristiano Ronaldos, ndryshe nga sa ka rrjedhur herët e fundit. Në të vërtetë, siç raportohet nga “Daily Mail”, portugezi ishte i zhgënjyer nga rezultati i dobët që mori në renditjen përfundimtare, që e pa atë të përfundonte vetëm në vendin e 20-të.

Sigurisht, gjithmonë më mirë se rivali i tij historik, nëse është e vërtetë që Messi nuk mori as nominimin mes 30 finalistëve, por gjithsesi është rezultati më i keq i karrierës së Ronaldos në 17 vitet e fundit. Kujtojmë se CR7 përfundoi në vendin e 20-të edhe në vitin 2005, në kohën e fillimit të karrierës së tij, në fund të sezonit të dytë me Manchester United.

Në atë vit ishte Ronaldinho që e fitoi “Topin e Artë”, ndërsa CR7 mori vetëm tri vota, aq sa Jamie Carragher, armiku i betuar i portugezit nga vera e kaluar për disa komente kritike mbi karrierën e kampionit nga Funchal.

Cristiano sigurisht që nuk e priste të fitonte trofeun e ngritur në pesë raste, i fundit më 2017. Edhe ai duket i vetëdijshëm se sa e vështirë do të jetë ta fitojë “Topin e Artë” të gjashtë para mbylljes së karrierës. Me të vërtetë do të ketë qenë i lumtur brenda vetes për fitoren e Benzema, partner i besuar prej shumë vitesh në sulmin e Real Madridit.

Sidoqoftë, si “kafshë konkurruese” nuk e ka tretur dot faktin se ka përfunduar pas shumë lojtarëve më të rinj dhe që nuk kanë pasur një sezon më të mirë se ai. Në fakt, Ronaldo e mbylli vitin e parë të eksperiencës së tij të dytë te Manchester United pa tituj, por gjithsesi me një shifër prej 24 golash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat