Gjoshi e Agolli: Të fitojmë sa më shumë pikë dhe eksperiencë

Futboll

Gjoshi e Agolli: Të fitojmë sa më shumë pikë dhe eksperiencë

Më: 30 tetor 2022 Në ora: 13:53
Gjoshi e Agolli

Kombëtarja shqiptare U-15 ka nisur tashmë përgatitjet në kuadër të turneut UEFA Development për moshën U-15, që do të zhvillohet në Shqipëri nga data 2 nëntor deri më 7 nëntor.

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Armand Dama janë grumbulluar që nga dita e premte në Durrës dhe po përgatiten intensivisht me pjesën më të madhe të lojtarëve të ftuar, ndërsa me grupin do të bashkohen edhe 7 lojtarë të cilët aktivizohen me klubet e huaja, kryesisht nga Italia, dhe më konkretisht Rikardo Sheji , Alen Vukaj , Kris Gecaj , Raffaele Huli , Leonard Kolgecaj , Lucas Çekrezi dhe Matia Koçi.

Bëhet fjalë për një kompeticion mjaft të rëndësishëm zhvillimor, që u jep mundësi lojtarëve të kësaj grup-moshe që të luajnë në nivel ndërkombëtar dhe të matin forcat me bashkëmoshatarët e tyre nga vende të ndryshme të botës.

Mbrojtësi kuqezi, Elio Gjoshi, duke folur për Fshf.org nga grumbullimi, shprehet mjaft i lumtur për këtë ftesë dhe shpresën që Kombëtarja U-15 të bëjë një paraqitje sa më të mirë dhe të marrë sa më shumë pikë në këtë turne.

“Unë aktivizohem si mbrojtës i majtë me KF Tiranën. Sigurisht është një kënaqësi e madhe që grumbullohem me Kombëtaren shqiptare U-15, kjo nuk është hera e parë për mua pasi kam qenë edhe tre herë të tjera pjesë e përfaqësueses kuqezi. Është gjithmonë një ndjesi e veçantë të vesh fanellën kuqezi. Atmosfera është shumë e mirë në grup dhe me djemtë po punojmë siç duhet në përgatitje për turneun UEFA Development U-15. Mendoj se jemi një ekip shumë i mirë me elementë cilësore në përbërje dhe besoj se do të jetë një eksperiencë e bukur për gjithsecilin prej nesh. Uroj shumë që të marrim maksimumin e pikëve, por sidoqoftë në këtë kompeticion është e rëndësishme të fitojmë sa më shumë eksperiencë në nivel ndërkombëtar. Në aspektin personal dua të jap maksimumin për ekipin dhe të fitojmë të gjitha ndeshjet e turneut, që të mbetet edhe një arritje e bukur për të gjithë ne”, – tha Gjoshi .

Edhe mesfushori korçar, Endri Agolli shprehet i lumtur për këtë grumbullim dhe vlerëson pjesëmarrjen në këtë turne si një mundësi shumë e mirë për të fituar eksperiencë ndërkombëtare.

“Unë luaj në rolin e mesfushorit me skuadrën e Skënderbeut. Jam përzgjedhur edhe herë të tjera në Kombëtaren U-15, por këtë hera kënaqësia është shumë më e madhe, pasi marrin pjesë në një turne ndërkombëtar. Shpresoj shumë që të marrim maksimumin e pikëve në këtë aktivitet. Mendoj se kemi një grup të fortë e lojtarë të talentuar dhe shpresoj që rritemi së bashku si skuadër përmes rezultateve pozitive dhe eksperiencës, pasi ky është qëllimi kryesor i këtyre turneve, fitimi i përvojës. Patjetër që synimi im është të futem në fushën për të dhënë gjithçka në ndihmë të ekipit me shpresën për të marrë pikë dhe rezultate pozitive. Sa i përket të ardhmes sime, dua që nëpërmjet punës të mund të arrij të luaj një ditë me Kombëtaren A”, – thekson Agolli.

Veç Shqipërisë U-15 në këtë turne do të marrin pjesë edhe përfaqësueset e Sllovakisë, Ishujve Faroe dhe San Marinos dhe të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare në Kamëz. Turneu do të nisë më 2 nëntor, ku ndeshja e parë e kuqezinjve do të jetë ajo ndaj Ishujve Faroe, me sfidën që nis në ora 10:30. Takimi i dytë i Shqipërisë në këtë turne do të jetë kundër Sllovakisë që do të luhet më 4 nëntor në ora 10:30. Tre ditë më pas, kuqezinjtë do të luajnë edhe ndeshjen e tretë dhe të fundit ndaj San Marinos, në ora 13:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat