Kosova me fitore bindëse ndaj Gjibraltarit 

Futboll

Kosova me fitore bindëse ndaj Gjibraltarit 

Më: 8 nëntor 2022 Në ora: 15:43
Kosova

Kombëtarja e Kosovës U19 në konkurrencën e femrave ka shënuar fitore në hapje të kualifikimeve për Kampionatin evropian në Ligën B, duke mposhtur Gjibraltarin, me rezultat 7:0, në stadiumin “Fadil Vokrri”. Dardanet e morën situatën në duar që nga fillimi i ndeshjes dhe dominuan plotësisht lojën në të dy pjesët.

Flondra Behrami u përkujdes t’ia siguroj epërsinë Kosovës në minutën e 5-të. E njëjta futbolliste e tundi sërish portën e mysafireve, në minutën e 18-të, pasi finalizoi pasimin nga Albulena Guri.

Kjo e fundit konkretizoi një rast në minutën e 26-të duke e ngritur rezultatin në 3:0, në të mirë të Kosovës. Albulena Guri shënoi sërish tre minuta para se të përfundonte pjesa e parë, e cila u përmbyll me rezultat 4:0.

Dardanet vazhduan me paraqitje fantastike edhe në pjesën e dytë, ku shënuan edhe tre gola tjerë. Golin e radhës Kosova e gjeti nga një penallti e akorduar në minutën e 49-të. Elma Kadriu ishte e saktë në gjuajtjen e saj, duke e ngritur epërsinë në 5:0. Gjashtë minuta para se të përfundojë takimi, Erisa Popaj shtoi epërsinë në 6:0, derisa rezultatin përfundimtar e vendosi Vesa Paqarizi.

Ndeshjen e radhës Kosova e luan kundër Bullgarisë, me 14 nëntor, nga ora 13:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Kosova ndaj Gjibraltarit luajti me këtë përbërje: Alma Demiri, Vanesa Nushi, Gresa Berisha, Kreshnike Ramaja, Melisa Berisha, Erletë Shabiu, Vesa Paqarizi, Elma Kadriu, Rreze Gashi, Flondra Behrami dhe Albulena Guri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat