Drejtuesit e Interit ultimatum

Futboll

Drejtuesit e Interit ultimatum

Më: 9 nëntor 2022 Në ora: 12:58
Drejtuesit e Interit ultimatum

Interi do të presë sot në mbrëmje Bolonjën në “San Siro” në një ndeshje ku formacioni zikaltër duhet të kthejë menjëherë faqen, pas asaj disfate me Juventusin që ka nisur të japë efektet e saj të para.

Ambienti ka nisur të ziejë tashmë pas të katërtës përballje të humbur ndaj një rivali direkt dhe të pestës humbje sezonale në kampionat, një tension që e kishte paralajmëruar administratori i deleguar, Xhuzepe Marota, në deklaratën e dy ditëve më parë, shkruan Panoramasport.

“Duhet të bëjmë një analizë të thellë, sepse statistikat tregojnë se ka nevojë për diçka të tillë”, shprehej drejtuesi, që duket se nuk e ka lënë vetëm në kuadrin e fjalëve shqetësimin e tij.

Ditën e djeshme në Apiano Xhentile, është zhvilluar një mbledhje mes kryesisë zikaltër dhe trajnerit për të vendosur pikat mbi “i” për vazhdimësinë e sezonit.

MOMENTI – Vërtet që skuadra nuk mund të quhet në krizë me një rezultat negativ të mbërritur pas një muaji të mbarë, por shija që ka lënë humbja dhe distanca momentale prej 14 pikësh me kreun e mbajtur nga Napoli është më e hidhur se asnjëherë.

Pasi është lënë pas një e treta e kampionatit, tek Interi kanë nisur të kërkojnë llogari mbi vendin e shtatë në renditje, që dukshëm nuk ishte ajo që ishte planifikuar në një pikë të tillë të sezonit.

Me Bolonjën dhe Atalantën të vetmet ndeshje të mbetura deri në pauzën e Botërorit, vështirë se diçka mund të ndryshojë për sa i përket klasifikimit dhe në Milanon zikaltër janë të vetëdijshëm për këtë.

Kjo ka qenë edhe arsyeja që drejtuesit kanë preferuar t’i flasin gjërat sy më sy me trajnerin, duke e përcaktuar si të rrezikshëm momentin aktual.

VENDI I KATËRT – Të jemi të qartë, shqetësimi më i madh i drejtuesve tashmë nuk është titulli, por vendi i katërt.

Pozicionimi jashtë zonës Champions është i papranueshëm tek Interi, duke marrë parasysh organikën që kanë në dispozicion dhe Inzagi e di këtë, pavarësisht se i është përsëritur edhe një herë.

Qëndrimi jashtë kompeticionit elitar do të ishte një hap gjigant pas në aspektin sportiv e atë ekonomik dhe vetëm mundësia ka bërë që Marota me shokë të ngrenë zërin. Inzagi është paralajmëruar, fillimisht duhet të mbyllë me sukses këtë vit kalendarik e më pas do të ketë edhe pak kohë në dispozicion për të parë ecurinë.

Deri atëherë ama, Bolonja dhe Atalanta mund të jenë prova zjarri për 46-vjeçarin e sidomos sfida e Bergamos.

Një rival direkt dhe një transfertë kanë provuar të jenë një kombinim vrasës për Interin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat