Nxehtësia e Katarit ka thyer çdo rregull

Futboll

Nxehtësia e Katarit ka thyer çdo rregull

Më: 17 nëntor 2022 Në ora: 17:48
Gjermania

Askush nuk mund ta imagjinonte që kompeticioni më i rëndësishëm në rang përfaqësuesesh, Kupa e Botës, të zhvillohej në një periudhë mes vjeshtës dhe dimrit. Nxehtësia e Katarit ka thyer çdo rregull në këtë drejtim mbi sezonin e organizimit.

Ky ndryshim ka sjellë zhvendosjen e çdo gjejë në arenën futbollistike, por jo vetëm. Të gjitha kampionatet i kanë ndezur mjaftueshëm motorët, aty ku personazhet kryesorë kanë dhënë një pjesë të mirë të shfaqjes në ligat specifike, jo vetëm në kontinentin e vjetër. Situata në fjalë ka sjellë edhe lodhje në kampet e ekipeve më në zë, ku kontingjenti i tyre është i ndërtuar mbi lojtarë të suksesshëm, të cilët do të kontribuojnë në kompeticionin e Botërorit.

Në bazë të analizës së një periudhe më të gjatë se 3 mujore (korrespondon me fillimin e kampionateve), rezulton se kombëtarja e strategut Flik është më e lodhur me 25.276 minuta.

7 janë lojtarët që vijnë nga “Allianz Arena”, aty ku Nagelsman nuk i ka kursyer. Manuel Nojer, Joshua Kimish, Leon Gorecka, Tomas Myler, Xhamal Musiala, Serxh Gnabri dhe Leroi Sane u kthyen në protagonistët e Bajernit të frikshëm jo vetëm në Bundesligë gjatë javëve të fundit.

Por kjo nuk mund të tingëllojë si efekt pozitiv në veshët e Hansit, pasi ata përbëjnë boshtin e “Pancerave” dhe një lodhje e tillë nënkupton energji kolosale të harxhuar. Jushua Kimish gëzon titullin e “maratonamakut” në këtë statistikë me 1975 minuta në fushë.

Pas kampionëve të 4-fishtë të Botërorëve nuk mbeten mbrapa as armiqtë e përbetuar në aspektin futbollistik, “Tre Luanët”. Djemtë e Garet Southgejtit kanë kryer 25.077 minuta në katërkëndëshin e blertë.

Podiumi do të plotësohet nga “Gjelat” e artë, të cilët vijnë me titullin e kampionit nga 2018 me një kuotë më të vogël se dyshja në fjalë, gjithsesi e konsiderueshme me 23.429. Në këtë renditje nuk do të mungonin brazilianët me 20.532 minuta.

Marrë në konsideratë se pjesa më e madhe e tyre luajnë në Premier Ligë, pa anashkaluar karakteristikat e kampionatit anglez është më se e kuptueshme se nga buron kjo lodhje.

As Spanja e Liuis Enerikes nuk ka ditur të ruajë stabilitetin dhe fuqinë shtytëse, pasi 20.432 minuta nuk janë pak. Por mund të krenohet nëse shikojmë statistikën e skuadrës në vazo, Gjermaninë, e cila nga krahu i saj nuk e ka hequr për asnjë sekondë këmbën nga gazi në lidhje me minutat e luajtura.

Portugalia e Kristiano Ronaldos duket se ka ndjekur trendin e luzitanit, më shumë në stol sesa në lojë, e përkthyer me 18.554 minuta.

Pretendentja kryesore në letër, Argjentina ka një arsye më shumë për të treguar se ata nuk do të jetën vetëm triumfatorë në analizë, por edhe në aspektin menaxherial.

Kuota e tyre nuk shkon më shumë se 17.666 minuta. Nëse i referohemi kohës së harxhuar mes gjermanëve dhe përfaqësuese argjentinase hendeku është më shumë sesa thjesht i frikshëm, plotë 7610 minuta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat