Konfirmohet shkalla e dëmtimit të Latifit

Futboll

Konfirmohet shkalla e dëmtimit të Latifit

Më: 15 dhjetor 2022 Në ora: 11:55
Latifi

Tersi me dëmtimet po përndjek sul muesin kosovar të Vllaznisë, Liridon Latifi. Sikur të mos mjaftonte qëndrimi tre muaj jashtë fushe pas dëmtimit të rëndë që pësoi në fund të gushtit në ndeshjen e kampionatit ndaj Kukësit, Latifi ka marrë një tjetër goditje atëherë kur u mendua se kishte kapur formën.

Në sfidën e fundit ndaj Egnatias në Shkodër, ai la fushën pas dhimbjeve në të njëjtin vend ku pati probleme edhe tre muaj më parë.

Fillimisht u mendua se bëhej fjalë për diçka të lehtë, por stafi mjekësor i Vllaznisë kërkoi që të bëheshin ekzaminimet e nevojshme, në mënyrë që të konfirmohej nëse kishim të bënim me frakturë. Kësisoj, dje është konfirmuar se Latifi ka pësuar një frakturë të shkallës së dytë.

Burime në klub tregojnë se fatmirësisht ky dëmtim nuk përkthehet si mungesë e gjatë për lojtarin, edhe pse të paktën një muaj larg fushave do të qëndrojë. Fillimisht ai nuk do të jetë i gatshëm për dy ndeshjet e radhës që mbyllin vitin, e më pas shpresat janë që në janar të jetë riaftësuar.

Një moment i keq për 28-vjeçarin, që tashmë i duhet t’i kthehet fazës së riaftësimit, por gjysma e së keqes është që nuk do të qëndrojë jashtë si herën e kaluar.

Në variantin më të mirë mund të jetë gati më 14 janar kundër Partizanit, por kjo mbetet për t’u parë dhe për më tepër si do të shkojë periudha riaftësuese.

Problemi i Latifit është te kërciri i këmbës, ose e thënë ndryshe në gjuhën mjekësore fibula. Tashmë ai do të jetë mungesa e tretë e sigurt e shkodranëve për ndeshjet ndaj Kastriotit dhe Teutës, krahas mbrojtësve Darko Bulatoviç dhe Marko Juriç.

I pari vijon riaftësimin në Malin e Zi pas një ndërhyrjeje kirurgjikale që bëri në nëntor. Nga ana tjetër, kroati Juriç po zhvillon seanca terapie në Shkodër pas dëmtimit muajin e kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat