Përpara 6 vitesh kërkonte punë te klubi i lagjes, sot në finalen e Botërorit

Futboll

Përpara 6 vitesh kërkonte punë te klubi i lagjes, sot në finalen e Botërorit

Më: 18 dhjetor 2022 Në ora: 13:11
Scaloni

Lionel Scaloni u tërhoq nga futbolli për një vit dhe ndiente një boshllëk brenda që ishte i vështirë për t’u injoruar. Ish-mbrojtësit të djathtë të Fulhamit i mungonte futbolli aq shumë sa nuk i rezistoi dot dëshirës për t’i telefonuar Son Kalius, klubit amator ngjitur me shtëpinë e tij në ishullin e Majorkës, për t’i thënë se ishte i gatshëm për të punuar me fëmijët e tyre nëse ata kishin një vend pune për të. Dhe kështu bëri.

Ishte viti 2016. Ishte pikërisht atje, ku pas një seance stërvitore ai dëgjoi lajmin se Lionel Mesi kishte vendosur që të tërhiqej nga kombëtarja argjentinase.

Skaloni nuk po u besonte veshëve dhe postoi në “Twitter” një foto të ishshokut të tij të skuadrës në atë vit të finales së Kupës së Amerikës me një mesazh të dëshpëruar: “Kjo foto i thotë të gjitha… Mos ik Lio”.

Skaloni nuk mund ta dinte në atë kohë, por 6 vite më vonë ai është duke përgatitur finalen e Kupës së Botës kundër Francës dhe i ka nxjerrë më të mirën deri tani Lionel Mesit me kombëtaren dhe i dha fund edhe pritjes 28-vjeçare të Argjentinës për të fituar një trofe, Kupën e Amerikës në Brazil vitin e shkuar.

Ishte nisja e “Skalonetës”, ashtu siç është nofka me të cilën është pagëzuar kombëtarja bardhekaltër prej atëherë. Sot 44-vjeçari është njeriu më popullor në Argjentinë.

Aq shumë është i vlerësuar sa përpara se të niste Botërori, ai kishte hedhur firmën në kontratën e re deri në vitin 2026. Trajneri i fundit i Argjentinës, i cili mbeti në detyrë pas një Botërori ishte Marselo Bielsa në 2002- shin.

Kjo është një dëshmi e popullaritetit të tij të pafund brenda skuadrës së Argjentinës, por edhe tifozëve, të cilët kanë një besim të verbër te trajneri i tyre.

“Nëse ora është 10:00 e mëngjesit dhe Skaloni na thotë natën e mirë, atëherë për ne është natë gjithashtu”, tregon mesfushori i Atletikos, Rodrigo de Pol.

“Ne kemi një staf trajnerësh me Skalonin dhe ish-futbollistë të tjerë si Aimar, Ajala dhe Samuel, të cilët kanë kaluar shumë eksperienca me fanellën e Argjentinës dhe e dinë se çfarë ajo përfaqëson”, thotë për “BBC Sport” ish-mesfushori Luço Gonzalez.

“Dhe pastaj ne kemi një grup që punon me shumë pasion kur është bashkë. Kemi gjithashtu edhe lojtarin më të mirë në botë, por skuadra e bën atë të ndihet mirë dhe nuk është e varur vetëm prej tij. Ky ka qenë çelësi në këtë proces”.

Argjentina është gati për të fituar trofeun e saj të parë të Kupës së Botës prej vitit 1986. Mbështetja për Skalonin në këtë rrugëtim për të mbërritur deri këtu ka qenë e plotë, por askush nuk e kishte parashikuar këtë kur një burrë nga fshati i vogël i Pujatos, fillimisht u emërua trajner provizor pas dështimit në “Rusi 2018”.

Kritikat ishin të tilla sa edhe legjenda Diego Maradona tha në atë kohë se i vetmi Botëror në të cilin ai mund të shkonte ishte ai i motoçiklizmit dhe jo ai i futbollit. Një njeri i rezervuar, me këmbë në tokë, Skaloni i dëgjoi të gjitha këto, por zgjodhi të mos përgjigjej.

Duke qenë se kishte punuar si asistenti i Horge Sampaolit te Sevilja dhe më pas i ishte bashkuar atij në stolin e kombëtares në Rusi, ai nuk mund të këmbëngulte shumë për mungesën e tij të përvojës.

Në fund të fundit, vetëm dy vite më herët, ai ishte ende duke parë fëmijët në klubin e tij të lagjes.

“Ne shkuam në Kupën e Botës së bashku, por pavarësisht karrierës së tij të jashtëzakonshme, ne nuk mund ta imagjinonim se ai do të bëhej trajneri që është sot”, kujton Luço, i cili është duke nisur gjithashtu karrierën e tij të trajnerit.

Është normale që kishte pak dyshime në fillim. Media nuk dinte shumë për aftësinë e tij, por u provua se ishte një lëvizje shumë e zgjuar e federatës.

“Unë besoj se ajo kohë tregoi se nëse ti nuk fokusohesh shumë te rezultatet e dikurshme, procesi funksionon. Dhe ai ka funksionuar”.

Ndjesia në Argjentinë se “Skaloneta” ka një frymë bashkimi të shkëlqyer, është ushqyer pas shumë vitesh. Kur mesfushori i Juventusit, Leandro Paredes, festoi datëlindjen e tij në Ibiza verën e shkuar, 13 shokë të skuadrës udhëtuan për të festuar me të.

Skaloni ka vetëm një rregull kur lojtarët janë në grumbullim: të gjithë duhet të ulen në të njëjtën tavolinë dhe të shohin njëri-tjetrin në sy. Nuk është çudi që ndoshta për herë të parë që prej vitit 2006, argjentinasit besojnë me të vërtetë se ata mund të fitojnë Kupën e Botës. As rezultati me Arabinë Saudite nuk e ndryshoi këtë.

“Zakonisht nuk ka shumë rëndësi se si ti mbërrin në këto kompeticione, por të shkosh atje si një prej pretendenteve dhe me një atmosferë të tillë të shkëlqyer sigurisht që i emocionon tifozët”, thotë Luço.

“Është një Botëror special, i pari yni pa Maradonën, një njeri i dashur nga të gjithë argjentinasit dhe veçanërisht nga unë. Por unë nuk kam dyshime që ai është duke na mbështetur nga lart”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat