Kombëtarja, një listë me 7 emra të bujshëm

Futboll

Kombëtarja, një listë me 7 emra të bujshëm

Më: 20 dhjetor 2022 Në ora: 12:11
Kombëtarja, një listë me 7 emra të bujshëm

Është kthyer në një rebus të vërtetë çështja e trajnerit të Kombëtares të futbollit, teksa duket se epoka e Edoardo Rejës në stolin kuqezi tashmë është mbyllur, për të hapur një kapitull të ri.

Natyrisht, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, preferon t’i mbajë afër gjoksit kartat e tij dhe nuk ka pranuar të japë emra, përveçse ka pohuar, i ftuar në një nga emisionet sportive në RTSH gjatë Botërorit, emrin e brazilianit Silvinjo si kandidaturë të mundshme.

Megjithatë, RTSH Sport ka mësuar se, përveç ish-futbollistit, ndër të tjera të Barcelonës dhe Arsenalit, janë edhe 6 emra të tjerë të njohur në listën e dëshirave të FSHF-së. Një tjetër kandidaturë nga Amerika Latine është ajo e trajnerit kolumbian Reinaldo Rueda, i cili ka drejtuar, ndër të tjera, edhe përfaqësuesen e vendit të tij të lindjes, por edhe Hondurasin, Ekuadorin dhe Kilin, me të cilat ka shkuar edhe nëpër Botërorë.

Përveç një braziliani dhe një kolumbiani, një tjetër kandidaturë amerikanolatine është edhe Esteban Kambiaso, me ish-lojtarin e përfaqësueses së Argjentinës dhe, ndër të tjera, të Interit, që ka qenë i pranishëm në Tiranë para disa muajsh, ku ka zhvilluar disa takime. Ndërkaq, një emër tjetër i njohur që është përmendur është edhe ai i Feliks Magathit, ish-lojtarit të Hamburgut, por edhe ish-trajnerit të Volfsburgut dhe Bajernit të Mynihut, i cili, nëse do të përzgjidhej si trajner i Kombëtares, do të shënonte një rikthim të një gjermani në stolin kuqezi, pas Hans-Peter Brigelit, që e drejtoi Shqipërinë nga 2022-shi tek 2006-ta.

E duke mbetur tek rikthimet, ose më saktë, tek vazhdimet, janë 3 kandidatura të tjera që do të siguronin që drejtimi i stolit kuqezi të mbetej italian edhe pas Rejës. Bëhet fjalë për ish-trajnerin e përfaqësueses së Italisë, Roberto Donadoni, për atë të Shpresave të Italisë, Luixhi Di Biaxho, por edhe ish-lojtarin e Lacios dhe të Milanit, Masimo Odo.

Të 3 këta ish-futbollistë të njohur kanë zbarkuar në kryeqytetin shqiptar në vizita private gjatë këtij viti që po mbyllet, ku kanë zhvilluar takime me drejtues të politikës dhe futbollit shqiptar, por nuk ka patur as shfaqje në publik e as prononcime për mediat. Një tjetër aspekt që duhet mbajtur parasysh në përzgjedhjen e trajnerit është edhe çështja e kominukimit midis trajnerit dhe drejtuesve dhe stafit të Federatës, por edhe midis tij dhe lojtarëve.

Italishtja është, për 10 vitet e fundit “lingua franka” e Kombëtares kuqezi, që nga 29 shkurti i 2012-ës, me ardhjen e Xhovani De Biazit, dhe ka gjasa të mbetet e tillë nëse trajneri i ri do të jetë nga Apeninet ose do të jetë Kambiaso, i cili flet edhe spanjisht.

Ashtu sikundër flet edhe Rueda dhe Silvinjo, të cilët flasin edhe anglisht, por edhe frëngjisht, në rastin e brazilianit. Anglisht, por edhe gjermanisht flet edhe Feliks Magath, ndaj e gjithë kjo çështje ndërlikohet edhe më tepër sa i përket emrit të ri të stolit kuqezi, sidomos kur mbahet parasysh se në diskutim është edhe një tjetër çështje e rëndësishme, ajo financiare, pasi emrat e përmendur nuk janë edhe aq të lirë.

Ajo që është e sigurt, të paktën ashtu siç edhe premtoi në RTSH presidenti Duka, babagjyshi i Vitit të Ri do të na sjellë edhe emrin e trajnerit të ri të Kombëtares.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat