Revolucioni i Ten Hag te Manchester United

Futboll

Revolucioni i Ten Hag te Manchester United

Më: 21 dhjetor 2022 Në ora: 15:24
Revolucioni i Ten Hag te Manchester United

Trajneri i Manchester United, Erik ten Hag, është duke ndërmarrë çdo hap të mundshëm për të forcuar skuadrën e tij të Manchester Unitedit, mendërisht dhe fizikisht. Ten Hag mori përsipër një grup të thyer lojtarësh, që kishin humbur çdo ndeshje jashtë fushe midis marsit dhe majit të këtij viti, përpara se ta merrte ai drejtimin në “Old Trafford”. Më pas “Djajtë e Kuq” u goditën 4-0 nga Brentford.

Holandezi ka bërë një punë të shkëlqyeshme për ta kthyer situatën, me Manchester United që u ngjit në vendin e pestë në klasifikim dhe tregoi elasticitet të vërtetë, duke mbajtur një numër portash të pastra (pa pësuar gol).

Tani rezulton se Erik ten Hag ka marrë në staf psikologë sportivë për t’iu dhënë lojtarëve të tij ndihmë shtesë. Raporti i “Daily Mail” bën me dije se Manchester United ka thirrur ‘trajnerë të mendjes’ nga Holanda, të cilët punojnë për një kompani të quajtur “Talent Academy Group”.

Ata drejtohen nga Rainier Koers, i cili udhëtoi në Spanjë me “Djajtë e Kuq” për kampin e fundit stërvitor dhe ndeshjet miqësore me Cadizin e Real Betis. Ten Hag dëshiron veçanërisht të jetë në gjendje të ndihmojë lojtarët që do të kthehen nga Kupa e Botës, disa prej të cilëve po përballen me humbje të rënda.

Casemiro e përshkroi eliminimin e Brazilit si humbjen e tij më të keqe ndonjëherë në futboll, ndërsa Raphael Varane arriti në finalen e Kupës së Botës, të cilën e humbi me penallti. Pra, kush është Rainier Koers, njeriu që ka akses brenda skuadrës së Manchester United? Koers është një ish-menaxher shitjesh, që u bë ‘trajner i mendjes’ më 2018, i cili thotë në LinkedIn: “Të ndihmoj njerëzit më bën shumë të lumtur”.

Roli i tij aktual përshkruhet si “Trajner i Lartë i Performancës” dhe ka punuar në këtë pozicion në “Talent Academy Group” për gati tri vite. Duke shkruar në faqen e tij personale, Koers thotë: “Si një trajner mendjeje, unë i udhëzoj njerëzit që ngecin në jetën e tyre për shkak të ngjarjeve të mëdha”.

Ai zotohet se di t’i ndihmojë njerëzit për stresin, mungesën e vetëbesimit, depresionin, ankesat fizike, ndjenjën se jeni i mbyllur etj. Të gjitha këto janë fusha që mund të aplikohen për futbollistët në faza të ndryshme të karrierës së tyre, madje edhe gjatë gjithë sezonit.

Erik ten Hag e di se sa konkurruese është Premier League dhe në çfarë presioni janë lojtarët e Manchester United, në qendër të vëmendjes së klubit më të madh në botë. Çdo avantazh i vogël mund ta ndihmojë klubin. Çdo rezultat nuk do të jetë i përsosur, ndaj të mësosh të përballesh me vështirësitë është çelësi dhe të jesh në gjendje të rikthehesh nga pengesat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat