Interi do të përballet sot në mbrëmje me Monzën

Futboll

Interi do të përballet sot në mbrëmje me Monzën

Më: 7 janar 2023 Në ora: 11:44
Interi do të përballet sot në mbrëmje me Monzën

Interi do të përballet sot në mbrëmje me Monzën, në një sfidë në të cilën do të synojë të mos e ndalë hovin që i ka dhënë fitorja ndaj Napolit.

Zikaltrit kanë marrë ndaj “Axurrëve” fitoren e parë ndaj një rivali direkt, ose më saktë ndaj njërit prej pretendentëve për titullin, duke marrë parasysh se skuadra e Inzagit kishte likuiduar para pauzës edhe Atalantën, por ekipi i Gasperinit duket tashmë jashtë garës.

7 fitore në 8 ndeshjet e fundit (humbja e vetme është ajo ndaj Juventusit) kanë bërë që Interi përveçse të rikuperojë në renditje, të ndërgjegjësohet edhe mbi forcën e tij dhe të nisë me një tjetër qasje pjesën e mbetur të sezonit që do të jetë vendimtare për përfundimin.

Por përveç anës psikologjike, Interi ka në favorin e tij edhe grupin, rigjetjen e mbrojtjes dhe kalendarin.

ÇALHA DHE MBROJTJA – Mungesa e Brozoviçit u pa si një nga pikat më të dobëta të grupit zikaltër me dëmtimin e kroatit, por përshtatja perfekte e Hakan Çalhanoglusë në rolin e tij ishte një nga surprizat më të bukura të Inzagit që ka gjetur te turku një mesfushor që mund të mbulojë të gjitha rolet e repartit.

Nisur nga këmbët e Çalhas ka pasur edhe një kthesë në lojën e të gjithë skuadrës, që tashmë e ka kuptuar se pikat e saj më të forta janë ana fizike dhe ajo taktike.

Nëse Pioli me Milanin e tij bazohen tek eleganca, vertikalizimet dhe projeksionet sulmuese, Interi i Inzagit kërkon ta nisë nga prapavija për të frikësuar kundërshtarët.

Muri mbrojtës ka nisur të forcohet përsëri pas luhatjeve të fillimit dhe tashmë alternimi mes Açerbit e De Vrajit në qendër të repartit nuk ka më efektet fatale dhe u shërben vetëm për mirë zikaltërve.

Por sigurisë që ofron mbrojtja dhe mesfusha, i shtohet edhe ajo e sulmit, aty ku Xheko, Lautaro e Lukaku po rikthehen të jenë të frikshëm, me Korrean të vetmen pikë të dobët.

KALENDARI – Duke nisur nga transferta e sotme me Monzën, kalendari duket se do t’i buzëqeshë Interit në vazhdim.

Verona dhe Empoli në shtëpi janë kundërshtarë tejet komodë në përfundim të kësaj faze të parë, ndërkohë që rivalët do të kenë përballje direkte, me Milanin që do të ndeshë Romën e Lacion dhe Napolin që do të presë Juventusin.

E në nisje të fazës së dytë, zikaltrit do të sfidojnë Kremonezen, në një ndeshje që do t’i paraprijë derbit me Milanin, aty ku zikaltrit kanë të gjitha mundësitë të shkojnë me pikët maksimale nga ky muaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat