Gatuzo: Jam krenar për ekipin që drejtoj, largohemi me kokën lart

Futboll

Gatuzo: Jam krenar për ekipin që drejtoj, largohemi me kokën lart

Më: 12 janar 2023 Në ora: 13:46
Gatuzo: Jam krenar për ekipin që drejtoj, largohemi me kokën lart

Nuk ka arritur ta mposhtë mësuesin e tij as në përpjekjen e tretë. Megjithatë, këtë herë Xhenaro Gatuzo i është afruar shumë me Valencian.

Skuadra e tij e ka vënë në vështirësi serioze Realin e Madridit, duke e detyruar të shkojë deri te penalltitë për të prerë biletën për në finalen e së dielës. Duke folur pas takimit, Gatuzo është shprehur tepër krenar për paraqitjen e bërë nga të besuarit e tij.

“Jam shumë krenar për ekipin dhe ndeshjen që skuadra ka bërë. Kemi luajtur me një mentalitet të madh. Kjo është rruga që duhet të ndjekim. Kjo na ka munguar ndaj Kadizit dhe në ndeshje të tjera në La Liga.

Ne duhet të vazhdojmë kështu, sepse kemi një ekip të ri që ka cilësi, që ka mentalitet. E kemi treguar në fushë në 120 minuta kundër një ekipi të madh, me një trajner të madh dhe lojtarë të mëdhenj. Nuk duhet ta ulim kokën, por duhet të shohim përpara, sepse kemi treguar mjaft gjëra pozitive në këtë përballje”, ka thënë fillimisht Gatuzo.

Trajneri italian i Valencias gjithashtu ka nënvizuar se fati nuk ka qenë në anën e skuadrës së tij në këtë përballje, duke iu referuar këtu lotarisë së penalltive.

“Kurtua është një portier që ka luajtur në nivele të jashtëzakonshme për shumë vite. Edhe portieri i Valencia ka pasur katër, pesë ndërhyrje shumë të mira. Ne e dimë që Kurtua është një portier i madh.

Nuk kemi pasur fat, në jetën time kam fituar një Botëror me penallti, por kundër Realit e kishim fatin kundër. Por e nënvizoj largohemi me kokën lart, sepse nëse bëjmë një bilanc të përgjithshëm kemi treguar shumë më tepër anë pozitive se negative”, tha Rino.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat