Tafaj: Kemi shumë cilësi dhe interes të lartë

Futboll

Tafaj: Kemi shumë cilësi dhe interes të lartë

Më: 14 janar 2023 Në ora: 11:29
Tafaj: Kemi shumë cilësi dhe interes të lartë

Edicioni i radhës i kursit për licencën e trajnerit të nivelit UEFA A ka nisur prej gati një jave dhe ka hyrë në fazën më të rëndësishme, teksa pjesëmarrësit po kryejnë aktualisht teori dhe praktikë.

Kursi që organizohet dhe zhvillohet nga FSHF në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz e që udhëhiqet nga Sektori i Edukimit në Federatë nën kujdesin e Sulejman Starovës dhe Alban Tafaj do të zgjasë gjashtë muaj, ku të gjithë trajnerët e regjistruar do të kenë mundësinë të ndjekin këtë program arsimor përgjatë kësaj periudhe kohore, me një kurrikul të mirëpunuar nga FSHF-ja në bashkëpunim me UEFA-n.

Duke folur për Fshf.org, specialisti i Sektorit të Edukimit në FSHF, Alban Tafaj shpjegon rëndësinë e kësaj licence, teksa vlerëson maksimalisht pjesëmarrësit, që janë shfaqur shumë të interesuar dhe i kanë dhënë rëndësinë e duhur kësaj licence. Tafaj flet edhe për nivelet e skuadrave që mund të drejtojnë këta trajnerë të ardhshëm.

“Ky është një nga nivelet e kurseve profesioniste që ne organizojmë, pra për licencën e trajnerit UEFA A, që ka nisur më datë 9 janar e që vazhdon për 6 muaj me radhë. Ky format i shkon në ndihmë trajnerëve pasi nuk ndahet më me blloqe prej 7 javësh si përpara, por është i shtrirë në kohë. Kësisoj i ndihmojmë trajnerët qoftë në punën e përditshme, sepse janë trajnerë të terrenit. Me licencën UEFA A janë pajisur zv.trajnerët e kategorisë ‘Abissnet Superiore’, por edhe të gjithë trajnerëve të Kategorisë së Parë, të gjithë ekipet e grup-moshave që nga U-15, U-17, U-19 e deri te U-21, – thotë Alban Tafaj.

Ditët e para normalisht kanë qenë pak të ngarkuara, sepse kemi ndërthurur teorinë dhe praktikën, por më shumë ka qenë pjesa teorike dhe tekniko-taktika, praktikisht një rikthim në bazë, një rikujtesë e leksioneve të mëparshme të marra në kursin UEFA B, duke vazhduar më pas me leksionet e posaçme për licencën e nivelit UEFA B. Grupi është i plotë, ka dhe trajnerë të cilët punojnë aktualisht në skuadrat e tyre në nivelet U-17, U-19 dhe U-21, kemi edhe trajnerë apo zv.trajnerë të ekipeve të para. Është një grup mendoj goxha i mirë, sepse ka cilësi dhe kërkesë të madhe llogarie dhe nga vetë kursantët. Kjo shihet qartë në punën që bëjmë në pjesën praktike, kur dalim në fushë e shohim që kanë ego të madhe për të qenë protagonistë dhe për t’u sjellë si trajnerë. Me përfundimin e këtij kursi në fund të qershorit këto trajnerë do të jenë të gatshëm për të drejtuar skuadrat e nivelit të licencës”, – thekson specialisti i Sektorit të Edukimit në FSHF.

Sakaq, Tafaj thekson edhe prioritetin e FSHF-së, që është të përgatisë sa më shumë vajza dhe gra trajnere në mënyrë që të jenë ato që do të drejtojnë ekipet e vajzave në Shqipëri. Gjithashtu, ai bën me dije edhe rikthimin e kursi për licencën e trajnerit UEFA C, që ka pasur shumë kërkesa dhe që tashmë vjen me mbështetjen e UEFA-s, por edhe për programin e këtij viti të këtij sektori.

“Jo thjeshtë si një direktivë e UEFA-s, por është edhe një angazhim i FSHF-së për të insistuar që në nivelet më të larta, sepse në kurset UEFA C dhe UEFA B kemi goxha vajza që aplikojnë, por në nivelet më të larta profesioniste si UEFA A dhe UEFA PRO të kemi sa më shumë vajza që afrohen të cilat duan të drejtojnë skuadra futbollit. Orientimi jonë është që ekipet e para të vajzave të drejtohen nga trajnere vajza, pasi aktualisht shumica e trajnerëve janë djem.

Ky vit në fakt është shumë i ngarkuar me kurse, sepse kemi edhe risi, siç është kursi UEFA B Goalkeeping, kemi një kursi për skautë futbolli e që mendojmë ta nisim në muajin maj, por që kemi edhe rikthimin e kursit UEFA C tashmë të ligjëruar dhe aprovuar nga vetë UEFA, pasi më parë kanë qenë si kurse pilote ku ne kemi shpalosur programet tona dhe pas miratimit të këtij kursi kërkesa ka qenë e jashtëzakonshme. Kemi të paktën 237 aplikantë që duan të regjistrohen në kursin UEFA C dhe përveçse në Qendrën e Ekipeve Kombëtare ne do të vazhdojmë traditën për ta shtrirë këtë kurs në të dyja zonat, qoftë atë të veriut, qoftë edhe të jugut. Kurset vazhdojnë më programet e tyre, ku kursi UEFA A siç e thashë është ai që zgjat 6 muaj, UEFA B shkon 3 muaj dhe nga një muaj është kohëzgjatja e UEFA B Goalkeeping dhe UEFA C”, – deklaroi Alban Tafaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat