Divizionet e ulëta dhe “pensionimi” i tij vetëm 24 vjeç

Futboll

Divizionet e ulëta dhe “pensionimi” i tij vetëm 24 vjeç

Më: 26 janar 2023 Në ora: 10:36
Divizionet e ulëta dhe “pensionimi” i tij vetëm 24 vjeç

A duhet të ketë qenë trajneri një lojtar i madh? Fillimi që lidh ‘dy jetët’ në futboll ka qenë gjithmonë temë diskutimi, e cila shumë shpesh nuk i bën të gjithë të pajtohen.

Disa argumentojnë se përvojat në fushë dhe në dhomat e zhveshjes përfaqësojnë një bagazh të pazëvendësueshëm në menaxhimin e një ekipi, të tjerë vazhdojnë tezën sipas së cilës ndonjëherë studimi, talenti dhe idetë mund të zëvendësojnë një të kaluar në fushë të gjelbër dhe të lejojnë arritjen e qëllimeve të rëndësishme në trajning.

Me 26 trofe ndërmjet garave kombëtare dhe ndërkombëtare, të fituara në katër vende të ndryshme, sigurisht që mund të përfshihet në këtë kategori të dytë José Mario dos Santos Mourinho Felix, i njohur zakonisht si José Mourinho.

Pavarësisht një karriere jo veçanërisht emocionuese si futbollist, luzitani arriti të triumfojë në Portugali, vendlindjen e tij, përpara se të pushtonte titujt në Angli, Itali dhe Spanjë, si dhe të fitonte në Evropë me suksese në Kupën UEFA dhe Champions League.

Një karrierë e pabesueshme në pankinë, e cila me të drejtë e projekton ndër trajnerët më të mirë në historinë e futbollit, pa kaluar megjithatë një rrugë si lojtar i nivelit të lartë.

I lindur në Setubal, një qytet në juglindje të Lisbonës me pamje nga Oqeani Atlantik, në një mbrëmje janari, pikërisht më 26 janar 1963, nga babai i tij Felix dhe nëna Maria, Josè i vogël ia detyron dashurinë e tij për futbollin të atit, portierit që kishte veshur fanellat e Vitoria Setubal dhe Belenenses në karrierë, si dhe atë të kombëtares me rastin e një ndeshjeje kundër Irlandës, përpara se “t’i varte dorashkat në gozhdë” dhe të fillonte të mbulonte rolin e trajnerit.

Në ato vite, Portugalia po përjetonte një periudhë ndryshimesh të mëdha, me regjimin e Estado Novo i cili u përmbys më 1974, në fund të një lufte koloniale dhe Revolucionit të Karafilit. “Ishin vite ndryshimesh të mëdha për Portugalinë. Edhe për mua ato ishin një përvojë pozitive jetësore që më përgatiti të përballesha me të ardhmen”, – tha Mourinho.

Pikërisht viti 1974 përfaqëson një vit vendimtar për familjen e Mourinhos. Në atë moment, babai Felix vendosi të fillojë kapitullin e dytë të futbollit të jetës së tij, duke nisur një karrierë si trajner.

José, i mbiquajtur Ze Mario në ato vite, ishte i magjepsur nga ajo “tullumbace” që rrotullohej dhe ndoqi gjurmët e të atit. José filloi të gjuante topin në radhët e të rinjve të Uniao Leiria, përpara se të ndiqte Felix te Belenenses, ku ish-portieri mbante postin e trajnerit të ekipit të parë. Një aventurë e ndarë në dy kllapa nga eksperienca në radhët e Rio Ave, duke ndjekur gjithmonë të atin.

Ishte gjatë militantizmit të tij në radhët e Rio Ave, kur ndodhi një episod që ndryshoi përgjithmonë rrugën dhe jetën e José Mourinhos. Kjo u zbulua në vitin 2004 nga ‘The Guardian’, e cila ktheu kasetën dhe tregoi një sfond kurioz.

Ishte viti 1982 dhe me rastin e një ndeshjeje kundër Sportingut të Lisbonës, babai Felix ishte i vendosur të kompensonte mungesën e titullarit duke aktivizuar djalin e tij, 19-vjeçarin José, që në minutën e parë. Por kur lajmi arriti në veshin e presidentit José Maria Pinho, numri një i klubit luzitan kërcënoi me shkarkim trajnerin.

Një qëndrim që nuk i la zgjidhje trajnerit, i cili do të detyrohej ta linte në pankinë mbrojtësin e ri. Gazeta angleze shpjegon se pikërisht me rastin e atij debutimi të munguar, shkëndija u ndez tek i riu José, i cili filloi të imagjinojë një të ardhme në stol.

Megjithatë, Mourinho nuk hoqi dorë nga karriera dhe vazhdoi të luajë. Ai u kthye në Belenenses me të atin, përpara se të shkëputej prej tij dhe të fillonte të luante në ligat e ulëta. Në vitet në vijim veshi fanellat e Sesimbra dhe Comercio, ishte pjesë e formacionit të Setubalit, vendlindjes së tij.

Thirrja e pankinës gradualisht bëhet më e fortë, për ta shtyrë Jose të heqë dorë nga karriera si futbollist. Në vitin 1987, në moshën 24-vjeçare, Mourinho vendosi se kishte ardhur koha që më në fund “t’i varte këpucët në gozhdë” dhe të fillonte një rrugë të re.

“E kuptova që nuk mund të bëhesha një lojtar i madh, se nuk kisha mjaftueshëm talent, – ​​deklaroi më vonë në mikrofonat e ‘Sky Sport’. – E kuptova që edhe kur isha i ri, dukesha më shumë trajner në fushë se një lojtar”.

Mourinho regjistrohet në Universitetin Teknik të Lisbonës për të studiuar për edukim fizik, ku do të merrte titullin që i lejonte të jepte mësim, një rol që e bëri si profesionist i lirë në disa shkolla fillore për 5 vite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat