Kapllani: Po më vinin në mendje 95 minutat, një lojë e çmendur

Futboll

Kapllani: Po më vinin në mendje 95 minutat, një lojë e çmendur

Më: 31 janar 2023 Në ora: 11:26
Kapllani

Mbrëmjen e sotme janë luajtur edhe dy sfidat e fundit të javës së 19 të “Abissnet Superiore“-s. Partizani u ndal në një barazim 1-1 nga Egnatia, duke mos përfituar nga ai hap fals i Tiranës kundër Kukësit. Ndërkohë në “Niko Dovana” është luajtur një ndeshje e gjitha për t’u shijuar. Erzeni ka mposhtur Vllazninë me rezultatin 3-2 dhe i kapërcen në tabelën e renditjes, ku tashmë pozicionohen në vendin e tretë. 

Kapllani (Erzeni): “Nuk po dilja sepse isha shumë i lodhur. Po meditoja pak me veten time, po më vinin në mendje ato 95 minuta. Një fitore shumë e çmuar, një lojë shumë e çmendur. Po luanim me një nga ekipet më të mira. Ka në përbërje lojtarë të ekipit kombëtar. Ka një stol shumë cilësor. Kjo fitore është për tifozët e zjarrtë, që nuk na tradhëtuan, erdhën përsëri. Kjo fitore shkon për ta. Jo, nuk mendojmë fare për Europën. Vetëm për mbijetesën, të marrim sa më shumë pikë. Të shohim punën tonë, edhe ndeshjet janë të ngjeshura. Të ulim kokën, të vazhdojmë. Nesër të mendojmë për ndeshjen e radhës. I kam thënë çunave të mi sot: ‘fillon faza e tretë, kemi edhe 18 finale’. Kupa ka pikësynimet e veta, por të mbijetojmë te ky kampionat”.

Josa (Vllaznia): “Normal që Erzeni është një skuadër që ka treguar çfarë mund të bëjë. Ka rritur lojën. Mua më takon të flas për skuadrën time, e cila sot u godit në dy raste shumë naïve. Duhet të kishte qenë më e kujdesshme, sepse po luanim me topin në kontroll. U shënua goli i dytë dhe përsëri kishim besim se mund ta kthenim rezultatin. Luajtëm me këmbëngulje. Duhet të ishim më të qartë. Duhet të shërbenim më mirë për dy sulmuesit e qendrës, qoftë për Balajn, qoftë për Kainën. Goli i anulluar? Balaj nuk ishte fare në trajektoren e topit.

Largësia e tij ishte e madhe kur Mala ka gjuajtur. Çdo gjë ka mbaruar tani. Është një koment që do vazhdoni ta bëni ju gjatë gjithë javës. Ja ku e keni Balajn, s’ka pasur lidhje fare me pengimin e topit. Nuk dua t’i shkoj kësaj. Ne edhe me rezultatin 2-0, e bëmë 2-1. Aty duhet të ishim më të përqendruar. Goli i tretë ishte një keqkuptim, një mosrendim i mirë i mbrojtjes sonë.”.

Tetova (Egnatia): “Kishim ardhur për një rezultat pozitiv, pasi në ndeshjet e kaluara e dini që ekipi nuk ka pasur ecuri. E kam nisur me punë që në fillim, e trashëgoi më pas Duro. Besoj se do rikthehemi si në fillim, kur të prodhojmë lojë. Jam i kënaqur me rezultatin, nuk i kam kërkuar lojë ekipit. Isha shumë i irrituar me ca faulla që nuk ishin fare. Kishte faull për të kuq ndaj lojtarit tonë dhe nuk u mor asnjë masë”.

Kolela (Partizani): “Më vjen keq për rezultatin. Më vjen keq për djemtë, që kanë bërë një ndeshje mjaft të mirë. Çmimi i kësaj fitoreje mendoj që duhet t’i shkonte atyre. Jam i kënaqur për paraqitjen. Shpresoj që skuadra ta marrë si një hap mjaft pozitiv.

Jam i bindur se nëse ekipi do të vazhdojë të zhvillojë të tilla paraqitje, do të jemi në garën për titull. Sot u barazuam nga cilësitë e një prej lojtarëve të Egnatias. Po të shohim se sa herë na ka rrezikuar Egnatia në portën tonë…”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat