Dardanet, të gatshme për fitoren e dytë në Turqi 

Futboll

Dardanet, të gatshme për fitoren e dytë në Turqi 

Më: 17 shkurt 2023 Në ora: 19:18
Kombëtarja e Kosovës

Para ndeshjes së dytë të turneut miqësor “Turkish National Womens Cup Alanya 2023”, ekipi Kombëtar i Kosovës në një ceremoni modeste, duke respektuar edhe viktimat e tërmetit në Turqi, ka shënuar 17 Shkurtin, 15-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Me këtë rast një fjalë rasti e mbajti anëtarja e KE-së dhe kryetarja e Komisionit për futbollin e femrave, znj. Vjollcë Krasniqi.

Ajo para futbollisteve dhe stafit të kombëtates theksoi se e ka nderin dhe kënaqësinë që në emër të KE dhe të presidentit të FFK-së, Agim Ademi, t’i përshëndesë dhe t’u urojë 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Për këtë ditë u sakrifikuan shumë breza e ndër ta edhe shumë sportistë e në veçanti futbollistë e futbolliste, për çka u jemi mirënjohës përjetë e mot.

Kjo ceremoni është modeste meqë jemi larg Kosovës dhe për shkakun se vendi ku gjendemi ka pësuar një tragjedi, andaj me këtë rast u shprehim ngushëllime familjeve dhe mbarë popullit turk për viktimat e tërmetit”, ka thënë Krasniqi, me rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë.

Vashat e Kombëtares së Kosovës, do të takohen nesër me Kombëtaren e Honkongut, në orën 11.00 në Kompleksin sportiv ‘Gold City’ dhe ato pas stërvitjes së sotme janë shprehur të gatshme për këtë takim, e ku do të kërkojnë fitoren e dytë në këtë turne.

Shtabi teknik në krye me përzgjedhësen Anneli Anderson në seancën stërvitore para ndeshjes, duke u bazuar edhe në lëshimet që patën në ndeshjen e parë kundër Estonisë u përpoqën që t’i mënjanojnë ato.

Dardanet punuan me përkushtim dhe zell të madh në stërvitje, teksa synojnë që ta japin maksimumin në ndeshjen e nesërme.

Deklaruan pas stërvitjes:

Erëleta Memeti, kapitene: Në këtë ndeshje ne hyjmë pa e njohur kundërshtarin, por ndonëse besoj shumë në fitore. Ne e respektojmë çdo kundërshtar dhe do të japim gjithçka nga vetja që të shënojmë fitore.

Edona Kryeziu: Edhe pse me këtë Kombëtare takohemi për herë të parë sepse vjen nga një tjetër kontinent, jemi përgatitur dhe jemi të gatshme të japim maksimumin që nga ky takim të dalim me fitore.

Viola Avduli: Ndonëse për neve Honkongu është kundërshtar krejtësisht i panjohur, jemi përgatitur për fitore.

Jemi një grup i mirë i lojtareve dhe kemi një bashkëveprim të mirë dhe kjo na jep shpresë për një fitore të radhës në këtë turne mjaft prestigjioz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat