Rilindja e Barcelonës u ndal nga “uragani” Ten Hag

Futboll

Rilindja e Barcelonës u ndal nga “uragani” Ten Hag

Më: 24 shkurt 2023 Në ora: 14:14
Xavi

Rilindja e Barcelonës u ndal nga “uragani” Ten Hag dhe Manchester United i tij.

Katalanasit u eliminuan nga “Europa League” në fund të ndeshjes së dyfishtë.

Skuadra e Xavi Hernandez barazoi 2-2 në ndeshjen e parë në “Camp Nou”, përpara se të humbiste 2-1 në “Old Trafford”.

Një disfatë që konfirmon traditën negative të blaugrana-ve në kompeticionet europiane.

Vitet e fundit, gjithashtu pas shitjes së Messit, ngurtësimit të klubit për shkak të një krize të thellë ekonomike dhe një skuadre totalisht të modifikuar, Barcelona ka ndryshuar tërësisht projektin e saj teknik.

Perspektivat e reja kanë ardhur të kombinuara me lojtarë me përvojë të kalibrit, mbi të gjitha të Robert Lewandowski.

Sulmuesi polak shënoi mbrëmë nga pika e bardhë, u duk sikur iu dha shansin lojtarëve katalanas të luftonin sërish për kualifikim, përpara se anglezët ta përfundonin ndeshjen me përmbysje 2-1.

Mes Champions-it dhe “Europa League”, Barcelona arriti të fitojë vetëm 2 ndeshje nga gjithsej 8, mes fazës së grupeve dhe fazës eliminatore. Në fakt, lojtarët e Xavi-t kanë fituar vetëm ndeshjen e dyfishtë kundër Viktoria Plzen; më pas kanë humbur dy herë kundër Bayern Munich, një herë kundër Interit, para Manchester United.

Në këtë mes, dy barazime kundër zikaltërve dhe “Djajve të Kuq”, të cilët megjithatë nuk i penguan katalanasit të largoheshin nga Kupat e Europës qysh në shkurt. Një krizë që mund të bëhet më pak e hidhur nga ecuria në La Liga.

Statistikat flasin vetë. Nga viti 2005 deri më 2015, Barcelona fitoi tri edicione të Ligës së Kampionëve, duke u përkushtuar si një skuadër e nivelit ndërkombëtar. Askush nuk do ta priste kurrë që t’i shihte blaugrana-t jashtë Europës qysh në mes të sezonit.

Të mendosh se hera e fundit që Barcelona ishte eliminuar kaq herët ndodhi në vitin 1985, kur katalanasit u eliminuan në Kupën e Fituesve të Kupave nga Metz. Më keq ndodhi vetëm në sezonin 1997-1998, kur Barcelona e Van Gaal e përfundoi grupin e Champions League në vendin e fundit.

Në thelb, gjatë dy sezoneve të fundit, Barcelona është eliminuar nga garat evropiane katër herë në një vit e 77 ditë.

Në dhjetor 2021 doli nga Liga e Kampionëve pasi humbi ndaj Bayern Munich; më pas u eliminua në prill 2022 kundër Eintracht Frankfurt. Vijoi me eliminimin nga Champions League në tetor 2022, përpara se të dilte edhe jashtë “Europa League” 2023, pas humbjes ndaj Manchester United.

Një disfatë që dhemb shumë, pavarësisht protestave të shumta për gabimet e supozuara të arbitrimit, të raportuara nga Xavi, si ndaj Interit, ashtu edhe ndaj vetë Manchester United. Për Barcelonën, megjithatë, ekziston kënaqësia e kryesimit të La Liga me 59 pikë, +8 pikë karshi Real Madridit.

Por nga një ekip që përfshin lojtarë si Lewandowski dhe talente të çmendur të kalibrit të Gavi e Pedri, përfshirë të tjerë të rëndësishëm, me të vërtetë prisnim më shumë.

Prandaj, blaugrana-t duhet të zhgënjehen me një tjetër dalje të hershme nga skena europiane, të cilën e kanë përfaqësuar me nder prej vitesh.

Nga sukseset e Guardiolës e deri te magjia e Messit, që kalon nëpër këmbët e Ronaldinhos, Iniestës dhe vetë Xavit, të aftë për të dominuar futbollin kontinental, duke i dhënë jetë asaj ideje të futbollit bazuar në “tiki taka”, e cila revolucionarizoi plotësisht mënyrën e të luajturit këtë sport.

“Ndjenja është se ishim më mirë se sezonin e kaluar, – tha Xavi në fund të ndeshjes. – Kundër Interit, Manchester United…, ne luajtëm kundër kundërshtarëve shumë të rëndësishëm, por nuk ishim në nivelin e kërkuar”.

Gjithsesi, problemi duket të jetë më shumë i mbrojtjes, duke qenë se katalanasit kanë shënuar 15 gola mes Champions League dhe “Europa League”, por 16 të pësuar nxjerrin në pah një problem të madh që duhet përmirësuar plotësisht për sezonin e ardhshëm, për të mos rrezikuar përsëri eliminimin qysh në fazat fillestare të Kupave të Europës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat