Marsi kuqezi

Futboll

Marsi kuqezi

Më: 24 shkurt 2023 Në ora: 15:39
Shqipëria

Muaji mars do të jetë në shenjën kuqezi.

Shumë prej ekipeve Kombëtareve do të jenë të impenjuara me ndeshje zyrtare dhe miqësore.

Ndërkohë, tre turne ndërkombëtarë për moshat do të zhvillohen pikërisht në Shqipëri në kujdesin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Duke e nisur që nga Kombëtarja A, me Sylvio Mendes Campos Junior që do të drejtojë për herë të parë Shqipërinë në ndeshjen debutuese ndaj Polonisë. Sfida më e rëndësishme e kuqezinjve në eliminatoret e Kampionatit Europian 2024 do të luhet më datë 27 mars në Varshavë.

Një ndeshje që padyshim do të jetë shumë e rëndësishme për objektivat e Shqipërisë, që synon të kualifikohet në finalet e Euro 2024. Më tej, duke vazhduar me Kombëtaren U17. Kuqezinjtë e vegjël do të jenë të angazhuar në Elite Round të Kampionatit Europian 2023.

Shqipëria U17 është pjesë e Grupit 8 së bashku me Francën, Zvicrën dhe Letoninë. Gjashtë ndeshje të grupit do të luhen në Shqipëri, në stadiumet “Air Albania” e “Elbasan Arena”. Sfidat do të organizohen nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Francë-Shqipëri do të luhet më datë 22 mars 2023 në “Air Albania”, duke nisur nga ora 11:30. Po atë ditë do të luhet ndeshja tjetër Letoni-Zvicër, në “Elbasan Arena” (15:30). Ndeshjet e dyta luhen më 25 mars me Francë-Letoni (11:30) në “Elbasan Arena”. Zvicër-Shqipëri, ora 17:00, në “Air Albania”.

Ndeshjet e treta dhe të fundit do të luhen më datë 28 mars 2023. Të dyja në ora 17:00. Shqipëri-Letoni do të luhet në “Air Albania”, ndërsa Zvicër-Francë do të zhvillohet në “Elbasan Arena”.

Sakaq, edhe Kombëtarja U21 do të jetë e impenjuar në dy ndeshje miqësore në muajin mars, që do të luhen në transfertë. Miqësorja e parë e Shqipërisë U21 do të jetë kundër Azerbajxhanit më 23 mars. Miqësorja tjetër do të jetë ajo kundër Polonisë, më 27 mars.

Të dyja këto takime miqësore do të zhvillohen në Antalia të Turqisë. Kuqezinjtë do të grumbullohen që në datën 21 mars dhe do të qëndrojnë 7 ditë. Edhe Kombëtarja U19 do të ketë dy ndeshje miqësore në muajin mars ndaj Maltës U19, në datat 23 dhe 26 mars në transfertë.

Këto janë dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe të vlefshme për ekipin kuqezi dhe stafin e Kombëtares U19. Ekipi i Armando Cungut do të grumbullohet në Maltë, duke nisur nga 20 marsi. Sakaq, janë edhe dy turne të tjera ndërkombëtarë për vajza që do të zhvillohen në Shqipëri gjatë muajit mars.

Në datat 7 deri më 12 mars do të luhen ndeshjet e turneut UEFA Development U16 për vajza. Shqipëria është në një grup me Moldavinë, Kosovën dhe Andorrën. Në datën 7 mars luhen ndeshjet Shqipëri-Moldavi (14:30) dhe Kosovë-Andorra (11:00).

Ndërsa më datë 9 mars, Shqipëri-Kosovë (14:30) dhe Andorra-Moldavi (11:00). Dy ndeshjet e fundit Shqipëri- Andorra (09:30) dhe Moldavi-Kosovë (12:30), luhen më datë 12 mars.

Turneu tjetër është ai i eliminatoreve të Kampionatit Europian U17 për vajza me ndeshjen e Grupit B4 që do të luhen në Shqipëri. Së bashku me Shqipërinë U17 për vajza në këtë grup janë shortuar Luksemburgu dhe Islanda.

Sfida e parë Shqipëri-Luksemburg luhet më datë 15 mars në “Air Albania” duke nisur nga ora 11:30.

Takimi i dytë Luksemburg-Islandë luhet më datë 18 mars, po në “Air Albania” (11:30). Ndeshja e tretë dhe e fundit e grupit, Islandë-Shqipëri zhvillohet më 21 mars (11:30), “Air Albania”.

Një muaj plot emocione të mëdha dhe me shumë ndeshje për tifozët kuqezi, të cilët do të kenë mundësi të shijojnë në stadium ndeshje të nivelit të lartë ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat