Arrestohen 21 persona në një incident në ndeshjen e futbollit në Podujevë

Futboll

Arrestohen 21 persona në një incident në ndeshjen e futbollit në Podujevë

Më: 12 mars 2023 Në ora: 20:32
Pamje nga thyerja e karrigeve

Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth incidentit të ndodhur në Podujevë në mes të tifozëve të Llapit dhe Ballkanit.

Ndeshja përfundoi 3-2 në të mirë të llapjanëve, dhe kjo dëshpëroi mbështetësit e skuadrës nga Suhareka, me çka edhe filluan demolimin e stadiumit “Zahir Pajaziti”.

Përmes një njoftimi në faqen e tyre zyrtare, Policia e Kosovës jep detaje për këtë incident.

"Shoqërohen në stacion policor 21 persona të përfshirë në një incident të ndodhur në Podujevë

Me datën 12.03.2023, rreth orës 15:00, në Podujevë, pas një ndeshje futbolli, tifozët e ekipeve janë përleshur duke përdorë/gjuajtur mjete të forta.

Si pasojë e përleshjes deri tani është raportuar se janë lënduar 2 zyrtarë policor, të cilët ishin në detyrë, të angazhuar për menaxhimin e situatës.

Ndërsa nga ana e tifozëve, deri tani është raportuar për tre të lënduar.

Bazuar në të dhënat fillestare, ngjarja ka filluar në stadium, ku janë shkaktuar dëme materiale, (dëmtim i ulëseve), më pas ka vazhduar në rrugët "Besnik Restelica" dhe "Zahir Pajaziti", ku janë dëmtuar tri vetura dhe një autobus.

Pas vënies nën kontrollë të situatës, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë nisë një hetim për ngjarjen.

Hetuesit policor në vazhdimësi janë duke ndërmarrë veprime hetimore me qëlim të identifikimit dhe procedimit e të gjithë të dyshuarve të përfshirë në këtë ngjarje", njofton Policia e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat