Ten Hag nuk pajtohet me kartonin e kuq të Casemiros, vë në pikëpyetje VAR-in

Futboll

Ten Hag nuk pajtohet me kartonin e kuq të Casemiros, vë në pikëpyetje VAR-in

Më: 12 mars 2023 Në ora: 21:30
Trajneri i Manchester Unitedit, Erik ten Hag

Trajneri i Manchester Unitedit, Erik ten Hag, thotë se në barazimin pa gola të skuadrës së tij ndaj vendit të fundit, Southampton, ndikuan gjyqtarët e takimit, pasi këta të fundit sipas holandezit nuk po përdorin standardin e njëjtë ndeshje pas ndeshje, duke aluduar në kartonin e kuq të Casemiros.

Mesfushori brazilian mori karton të kuq për një faull ndaj Carlos Alcaraz në pjesën e parë të takimit sot. 

Në mbrojtje të 31-vjeçarit doli trajneri holandez, duke thënë se në 500 ndeshjet para se të vinte te djajtë e kuq nuk u ndëshkua kurrë me të kuq.

"Casemiro luajti mbi 500 ndeshje në Evropë dhe asnjëherë nuk mori një karton të kuq. Tani ai ka dy në Premierligë," tha ai për Sky Sports. "Mungesa e tij nuk është çështja. Ne do të merremi me këtë. Kjo lojë u ndikua nga gjyqtarët."

Trajneri i Unitedit shtoi në konferencën e tij për shtyp pas ndeshjes: "Të gjithë dinë diçka për futbollin, të gjithë e dinë se çfarë është e keqe. Casemiro është një lojtar vërtet i drejtë, i ashpër por i drejtë."

Ten Hag gjithashtu ndjeu se United iu mohua një penallti e pastër në pjesën e parë pasi Armel Bella-Kotchap preku me dorë një top nga harkimi i Marcus Rashford në zonë, me gjyqtarin që vazhdoi lojën pas një kontrolli në VAR.

"Ajo që unë mendoj është mospërputhja, lojtarët nuk e dinë më se cila është politika," tha ai kur u pyet për vendimin. "Dje në ndeshjen Leicester – Chelsea reagimi i VAR-it nuk erdhi në shprehje, sot kundër nesh ndikuan gjyqtarët, ndërsa në dy situata tjera për penallti nuk reaguan. Mendoj se ishte mjaft e qartë se ishte penallti, pra cila është politika e VAR-it?” 

Casemiro është përjashtuar dy herë me karton të kuq në muajin e fundit, pasi ka marrë kartonin e kuq kundër Crystal Palace në shkurt. Ai tani ka po aq kartonë të kuq te United sa ka marrë gjatë nëntë vite të tija në Real Madrid.

Djajtë e kuq janë sërish në aksion të enjten kur përballen me Real Betis në Ligën e Evropës. United ka epërsi 4:1 nga ndeshja e parë e 1/8 së finales dhe është me një këmbë në çerekfinale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat