Zaniolo mesazh të fortë për skuadrën turke

Futboll

Zaniolo mesazh të fortë për skuadrën turke

Më: 14 mars 2023 Në ora: 21:59
Nicolo Zaniolo

Pasi i dha fund marrëdhënieve me klubin e Romës, Nicolo Zaniolo u transferua në merkaton e janarit tek gjigantët turq të Galatasaray.

Një vendim disi surprizë për 23-vjeçarin duke njohur edhe interesin e disa klubeve të tjera europiane.

Megjithatë, drejtuesit e klubit turk u treguan të shkathët dhe firmosën me një nga talentët kryesorë të kombëtares italiane.

Eksperienca turke për Zaniolon ka nisur në mënyrën e duhur duke qenë se sulmuesi debutoi me gol duke i dhuruar fitoren Galatasarayt në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Kasimpasa me rezultatin 1-0.

Së fundmi, Zaniolo i bën të qarta objektivat që ka me Galatasarayn teksa në një intervistë për “Hurriyet” shprehet se kërkon të fitojë titullin dhe të luajë Champions League me skuadrën turke.

“Qëllimi im nuk është të qëndroj tek Galatasaray sa të vijë një ofertë nga një klub tjetër dhe më pas të largohem në fundin e sezonit.

Unë dua të fitoj kampionatin dhe të luaj në Champions League me fanellën e Galatasarayt”, u shpreh Zaniolo.

Aktualisht, Galatasaray është në vendin e parë të kampionatit me 60 pikë, i shkëputur momentalisht me 9 pikë nga ndjekësit e Fenerbahces dhe duket në rrugën e duhur për të fituar titullin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat