U diagnostikua me tumor në tru, flet futbollisti i njohur

Futboll

U diagnostikua me tumor në tru, flet futbollisti i njohur

Më: 17 mars 2023 Në ora: 13:41
Ross Larkin

Futbollisti i Linfield, Ross Larkin është shprehur se ndihet me fat që është gjallë pasi u diagnostikua me tumor në tru.

23-vjeçari nga Newry, County Down, iu është nënshtruar operacionit, radioterapisë dhe kimioterapisë.

Mbrojtësi i Irlandës së Veriut shpreson të rikuperohet plotësisht, por nuk dihet nëse ai do të jetë në gjendje të luajë sërish futboll.

Ai u diagnostikua me tumor në tru pak para Krishtlindjeve në vitin 2021.

Për të mbrojtur privatësinë e tij, Linfield publikoi një deklaratë ku tha 23-vjeçari ishte në spital për një procedurë.

Në fakt, i riu iu ishte nënshtruar një operacioni në tru. 

Në një intervistë për BBC, ai tha: “Falë Zotit që e bëra atë operacion dhe ishte i suksesshëm.

Nuk kisha asnjë simptomë dhe u shtrova në spital për tumor në tru. Thjesht nuk mund ta besoja, familja ime nuk mund ta besonte. Ishte e vështirë ta pranoja.”

Pasi luajti për Linfield kundër Warrenpoint në Windsor Park më 11 dhjetor 2021, ai filloi të përgatitej për diplomimin e tij, pasi kishte përfunduar me sukses një kurs për menaxhim biznesi. Gjatë mbrëmjes së ceremonisë ai filloi të mos ndihej mirë.

“Ndjeva presion në njërin sy, humba shikimin periferik”, tregoi futbollisti.

Ai u dërgua në spital dhe menduan se mund të kishte pësuar goditje në tru.

Por pas skanerit u diagnostikua me tumor oligodendroglioma të shkallës së tretë.

Pas operacionit në prag të Krishtlindjes, filloi një periudha e radioterapisë dhe më pas kimioterapia.

“Është një sëmundje kaq e rrallë, ishte kaq e vështirë për mua që ta pranoja.

Por e kalova dhe tani jam më i fortë.”

23-vjeçari tha se i është mirënjohës stafit mjekësor që i shpëtuan jetën, si dhe familjes dhe miqve të tij.

Pyetjes nëse do të luajë sërish futboll, iu përgjigj: “Nuk jam i sigurt, mjekët dhe kirurgët nuk ma kanë rekomanduar".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat