Pepe mes Nices dhe Arsenalit

Futboll

Pepe mes Nices dhe Arsenalit

Më: 19 mars 2023 Në ora: 13:23
Pepe

Nicolas Pepe raportohet se mund të mbetet te Nice edhe pas këtij sezoni.

Ai është i huazuar te Nice për këtë sezon nga Arsenali, me marrëveshjen që skadon pas përfundimit të sezonit.

Kësisoj, Pepes do t’i duhet të rikthehet te “Topçinjtë” në verë pasi në marrëveshje nuk është përfshirë ndonjë opsion blerjeje.

Por, sipas “L’Equipe”, 27-vjeçari është i hapur ndaj idesë për të qëndruar edhe më gjatë te Nice.

Pas rikthimit në mesjavë nga lëndimi që e la jashtë nga mesi i janarit, reprezentuesi i Bregut të Fildishtë shpreson të ketë një ndikim nga tani deri në fund të sezonit. Deri më tani ai ka regjistruar 24 paraqitje, ka shënuar tetë gola dhe një asistim.

Nice ka ende shumë për të luajtur. Skuadra e drejtuar nga Digard Didier po garon për të siguruar një pozitë që e dërgon në Evropë sezonin tjetër, teksa është ende në garë për trofeun e Ligës së Konferencës.

Megjithatë, përveçse duke luftuar për të arritur qëllimet e Nice, ish-sulmuesi i Lille mund të luftojë edhe për të ardhmen e tij.

“L’Equipe” raportoi se klubi francez po mendon të mbajë Pepen për sezonin e ardhshëm, por te klubi duan që fillimisht të shohin formën që do të kalojë lojtari deri në fund të sezonit, para se të vendosin për të filluar bisedimet për transferimin e tij.

Nicolas Pepe me Arsenalin ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2024.

Ai u ble nga londinezët në vitin 2019 për shifrën rekorde të klubit prej 80 milionë eurosh, por nuk ia doli të dëshmohej në “Emirates Stadium”.

Pepe në total ka regjistruar 112 paraqitje me Arsenalin në të gjitha garat, ka shënuar 27 gola dhe ka kontribuar me 21 asistime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat