Edhe Bayern në garë për nigerianin

Futboll

Edhe Bayern në garë për nigerianin

Më: 18 prill 2023 Në ora: 19:17
Napoli

Jo vetëm emrat e Kylian Mbappe apo edhe Jude Bellingham.

Në qendër të merkatos së ardhshme pritet të jetë edhe Victor Osimhen, sulmuesi që aktivizohet me Napolin.

Nigeriani është shndërruar në një prej më të mirëve në rolin e tij teksa këtë sezon të Serisë A, numëron 21 gola dhe pesë asiste duke udhëhequr të kaltrit në rrugën drejt titullit kampion.

Për 24-vjeçarin janë vendosur në rradhë një sërë klubesh, teksa i fundit që i shtohet kësaj liste është Bayern Munich. Bavarezët duket se do të ndahen nga Sadio Mane pas telasheve të fundit të senegalezit me Sane dhe janë hedhur në kërkim të një sulmuesi tipik zone, si në kohën kur luanin me Robert Lewandowskin.

Osimhen është i përzgjedhuri dhe sipas “Sport 1”, bavarezët kanë edhe një “as nën mëngë” për të “djegur” konkurrencën për nigerianin. Kjo pasi e dashura e sulmuesit është rritur në Gjermani dhe një rikthim do ta miratonte menjëherë duke shtyrë edhe Osimhen të pranojë transferimin në Bundesligë.

Megjithatë, fillimisht duhet bindur Napoli që ka një kontratë me Osimhen deri në vitin 2025 dhe do të kërkojë të përfitojë maksimalisht duke parë klubet e mëdha dhe të pasura që interesohen për sulmuesin.

Kujtojmë se Osimhen u transferua në Itali në vitin 2020 nga francezët e Lille me Napolin që pagoi plot 75 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat