Alba: Te Barça ju luftoni për të gjithë trofetë

Futboll

Alba: Te Barça ju luftoni për të gjithë trofetë

Më: 21 prill 2023 Në ora: 12:26
Alba

34 vjeç, por nuk i ndjen ato. Jordi Alba po përgatitet të festojë titullin e La Liga-s. Mbrojtësi spanjoll foli për këtë dhe shumë më tepër në një intervistë ekskluzive për “GOAL”.

Si e vlerësoni sezonin e Barcelonës?

Te Barça ju luftoni për të gjithë trofetë.

Jemi të parët në ligë, ka edhe pak ndeshje për t’u luajtur, por epërsia është shumë e madhe.

Humbëm ndaj Real Madridit në Kupën e Mbretit dhe nuk ishim në nivelin e duhur në Evropë, por po bëjmë mirë në kampionatin spanjoll.

Vështirësitë ekonomike të klubit, çështja e ‘fair-play’, ‘rasti Negreira’, UEFA, Superliga… Si “izolohet” dhoma e zhveshjes nga e gjitha kjo rrëmujë?

Nuk është e këndshme, është e vështirë të izolohesh dhe shkëputesh nga realiteti, por ne duhet të konkurrojmë, të vazhdojmë të grumbullojmë pikë, të izolohemi nga gjithçka dhe të fitojmë ndeshje në çdo situatë.

Gjithçka është mirë në La Liga, por çfarë ndodhi në Evropë?

Kemi pasur shumë lëndime, por ky fakt nuk mund të jetë justifikim.

Ne kemi një skuadër shumë të madhe dhe shumë konkurruese, por për arsye të ndryshme nuk ishim në nivelin e duhur. Kundër Bayernit patëm një pjesë të parë të shkëlqyer dhe arritëm të shënonim, por na mungoi pak fati.

Në fund kundërshtari ishte më i mirë, në Champions League mund të pësosh gol në çdo kohë.

Ne luajtëm mirë kundër Manchester United, por përsëri gjetëm një ekip që mund të të shënojë në çdo kohë.

Po kaloni mirë, por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Ishte një kohë kur disa dyshonin në barcelonizmin tuaj. Si e keni përjetuar?

Kam ide të qarta mbi atë që ndjej për këtë klub. Njerëzit që më njohin e dinë këtë.

Ajo që thuhet apo komentohet vjen gjithmonë nga jashtë. Duhet të mendoj mirë për stërvitjen, kam 11 vite këtu dhe askush nuk më ka falur asgjë. Pavarësisht nëse kam luajtur ndeshje më të mira apo më të këqija, gjithmonë kam dhënë gjithçka për këtë klub. Mes ekipit të të rinjve dhe ekipit të parë unë kam qenë këtu për 18 vite, askush nuk duhet të dyshojë në shpirtin tim barcelonas.

Kanë kaluar 11 vite nga debutimi juaj te Barça. Cili është kujtimi më i mirë dhe më i keq?
Kujtesa ime më e mirë për sa i përket titujve…

ka shumë. Ne kemi fituar Champions League, titullin në La Liga, Kupën e Mbretit. Sa iu përket ndeshjeve, më kujtohet 4-0 kundër Milanit, ku arrita të shënoja një gol dhe ishte një natë magjike. Ose përmbysja kundër PSG-së, një ndeshje që nuk mund ta luaja, por ishte e pabesueshme dhe e përjetova në një mënyrë spektakolare, si të gjithë tifozët.

Për mirë kujtoj edhe fitoret kundër Real Madridit, të cilat ishin shumë intensive dhe të përjetuara në një mënyrë të veçantë.

Kam pasur edhe më shumë momente kritike, por duhet të dish si të dalësh prej tyre. Preferoj të mbaj në kujtesë të mirat.

Kontrata juaj skadon në qershor 2024, si e shihni të ardhmen?

Ajo që dua është të qëndroj te Barça, të respektoj kontratën time. Fizikisht dhe mendërisht jam shumë mirë. Unë dua të qëndroj, edhe Barcelona do të njëjtën gjë.

Për momentin nuk kam ende asnjë lajm mbi të ardhmen time, jam shumë i qetë dhe thjesht duhet të bëj mirë.

Ndihem mirë dhe dua të vazhdoj të jem i dobishëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat