Teuta nuk fiton prej gati dy muajsh

Futboll

Teuta nuk fiton prej gati dy muajsh

Më: 21 prill 2023 Në ora: 14:28
Teuta

Skuadra e Teutës do të luajë të shtunën derbin e fundit ndaj Erzenit për këtë sezon.

Një përballje shumë e rëndësishme për blutë, që janë në vendin e 8-të në renditje në kuotën e 35 pikëve.

Një sukses në sfidën ndaj rivalëve të përjetshëm do të ishte një bonus i madh për djemtë e detit. Teuta nuk ka fituar asnjë prej derbeve në këtë edicion në kampionat. Skuadra e Martinit në takimin e së shtunës ndaj Erzenit do të kërkojë me çdo kusht pikët.

Blutë vijnë në këtë përballje pas gjashtë javësh radhazi pa fitore, ku e fundit për këtë sezon është fiksuar në transfertë ndaj Tiranës, pikërisht më 25 shkurt.

Me një llogaritje të thjeshtë, ka gati dy muaj, që nuk e provon “shijen” e fitores. Në kampin durrsak nuk e bëjnë dramë, por pa dyshim që i ka befasuar drejtuesit, që nuk prisnin këtë rënie drastike, pas një ecurie mjaft të mirë në fazën e tretë.

Ndeshja ndaj Erzenit është vendimtare për mbijetesën, por edhe për vetë prestigjin e fanellës. Teuta njihet si skuadra më e madhe e qarkut, por këtë duhet me patjetër ta reflektojë në fushë, pasi nuk mund t’ia lejojë vetes një sezon të tërë pa mundur të paktën një herë Erzenin.

Megjithatë, misioni nuk do të jetë aspak i lehtë, pasi shijakasit kanë bërë një sezon mbresëlënës, pavarësisht rënies në javët e fundit.

Futbollistët e Teutës kanë vijuar dje stërvitjen për të përgatitur ndeshjen ndaj shijakasve. Seanca nisi me nxehje të lehtë, ku përgatitësit atletik Dodaj dhe zëvendëstrajneri Hodo vazhduan punën me futbollistët me disa ushtrime fizike.

Më pas frerët i mori trajneri Martini, i cili u orientua më së shumti te taktika.

Në fundin e seancës, ata zhvilluan edhe një minindeshje.

Në sfidën së shtunës ndaj Erzenit pritet të ketë një rikthim të disa titullarëve në formacion.

Në ndeshjen e shkuar trajneri Martini u privua nga disa mungesa, por tashmë pritet t’i ketë të gjithë në dispozicion dhe të ketë zgjedhje të lirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat