Aro Muric flet për festën e tij me shoqërinë pas promovimit në Premier League

Futboll

Aro Muric flet për festën e tij me shoqërinë pas promovimit në Premier League

Më: 22 prill 2023 Në ora: 15:27
Aro Muric

Portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric shpesh ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave jo vetëm për paraqitjet e tij në fanellën dardane dhe atë të klubeve ku është paraqitur, por edhe për jetën e tij personale.

Në shumë raste, ai, është goditur pamëshirshëm nga mediat pikërisht për jetën e tij jashtë fushës së gjelbër.

Ai javën e kaluar me skuadrën e Burnleyt e ka siguruar promovimin në Premier League, teksa këtë sukses e ka festuar me shoqërinë e tij.

E pikërisht kjo festë ka bërë që ai të rikthehet në protagonist të mediave, ku janë përmendur shpenzimet e mëdha dhe ‘bakshishe’ për kamarierët.

Ai e pranoi se festa që kaloi me shoqërinë e tij ka bërë bujë, por ka thënë se nuk ka pasur asgjë jashtë normales.

“Ditëve të fundit kam parë shumë shkrime në lidhje me një natë që unë kam pas pushim dhe kam dal me shoqërinë time.

Një natë jashtë futbollit dhe me argëtim normal jashtë jetës profesionale dhe futbollit”, ka theksuar Aro Muric.

Ai ka thënë se vazhdimisht përkujdeset për jetën profesionale, por ka edhe momente kur si çdo njeri tjetër dëshiron që sukseset personale dhe të ekipit t’i festojë me shoqërinë, por vetëm atëherë kur nuk e dëmton anën profesionale.  

“Për jetën profesionale normalisht që ne kemi trajner, menaxher dhe staf të gjerë që kujdesen për ne, qoftë në klube e qoftë në Kombëtare”, ka shtuar portieri i Burnleyt.

Ai ka thënë se me shkrime të tilla tendencioze është ballafaquar edhe kur ka qenë i grumbulluar me ekipin kombëtar, por ato vetëm sa e kanë bërë më të fortë dhe i kanë dhënë motiv për punë edhe më të madhe.

“Kombëtaren e kemi si të shenjtë dhe ndjejmë shumë krenari e privilegj që e kemi mundësinë për ta përfaqësuar vendin tonë”, është shprehur tutje Muric.

Ai ka thënë se në ekipin kombëtar ekziston “një staf me njerëz tejet profesional, të udhëhequr nga presidenti Ademi”.

“Ata kujdesen jashtëzakonisht shumë për ne dhe me të cilët asnjëherë nuk kemi asnjë probleme, përkundrazi janë njerëz që na përkrahin dhe na i krijojnë të gjitha mundësite, e sidomos presidenti Ademi me të cilin asnjëherë nuk kam pas asnjë telashe ose mosmarrëveshje siç është shkruar e gënjyer në media”, ka thënë Aro Muric.

Ai tutje ka folur me optimizëm për ndeshje e ardhshme kualifikuese me Kosovën kundër Rumanisë dhe Bjellorusisë.

“Për mua, presidenti Ademi, mbetet person shumë i respektuar dhe bashkë me gjithë stafin jemi të bashkuar dhe synojmë të arrijmë ëndrrën e përbashkët që është kualifikimi.

Në qershor na presin dy ndeshje tejet të rëndësishme, prandaj besoj se do të jemi në formë të mirë dhe do të shkojmë përpara me Kosovën në Evropian”, ka theksuar ai.

Aro në fund është shprehur tejet i lumtur edhe për promovimin në Ligën Premiere me skuadrën e Burnleyt, teksa ka thënë se rikthimi në këtë nivel do ta ndihmojë edhe atë të rritet edhe më shumë si portier..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat