Betejë e ashpër për një biletë në finale

Futboll

Betejë e ashpër për një biletë në finale

Më: 26 prill 2023 Në ora: 11:28
Logo e Interit dhe Juventusit

Pas disa javësh plot ngjarje që nga përballja e tyre e parë në Torino, rivalët e betuar në Itali, Interi dhe Juventus, do të takohen sot në mbrëmje në “San Siro” për të vendosur se kush do të arrijë në finalen e Kupës së Italisë.

Të dyja skuadrat kanë arritur në gjysmëfinalet e dy kompeticioneve më të rëndësishmne të Evropës për klube, Interi në Champions League dhe Juventus në Europa League.

Juventus ka parë gjithashtu që 15 pikët e hequra t’u rikthehen përsëri, duke bërë që gara për një vend në top katërshe për të arritur kualifikimin në Champions League për sezonin e ardhshëm, të bëhet edhe më e ashpër në Serie A.

Ndeshja e parë gjysmëfinale mes këtyre dy ekipeve përfundoi me një tension të lartë në fushë, ku pas asaj mbrëmje nuk munguan polemikat dhe sanksionet.

Një gol nga Lukaku pranë përfundimit të ndeshjes me penallti, bëri që tifozët ultras të Juventusit të kryenin thirrje raciste në drejtim të belgut.

E të mos mjaftonte kjo, gjyqtari kryesor i ndeshjes i tregoi kartonin e dytë të verdhë Lukakut për festimin e tij, i cili ishte një mesazh “stop racizmit”. Kjo gjë i ndezi edhe më shumë gjërat, pasi këtë festim belgu e ka bërë shpesh kohët e fundit, dhe nuk është gjykuar asnjëherë nga askush.

Kjo ndeshje i hapi punë dhe organeve përkatëse ligjore duke analizuar mirë situatat e ndodhura atë mbrëmje. Si përfundim, Lukaku nuk u dënua për gjestin e ashtuquajtur provokativ, pasi u cilësua si një gjest normal dhe aspak problematik, ashtu siç ishte në të vërtetë.

Nga ana tjetër, rreth 171 tifozë të Juves janë identifikuar për koret raciste ndaj sulmuesit zikaltër, duke marrë një dënim për përjashtimin nga stadiumet për një periudhë të konsiderueshme.

Sanksione morën edhe Handanovic dhe Cuadrado, pasi në përfundim të sfidës u përplasën së bashku verbalisht, por edhe fizikisht.

Këto ngjarje tregojnë më së miri rivalitetin e betuar mes këtyre dy klubeve dhe sot do të përplasen për herë të katërt në këtë sezon së bashku. Megjithatë, Interi futet sot në fushë i karikuar pas asaj fitoreje në fundjavë kundër Empolit me rezultatin 3-0, ku pikërisht Lukaku ishte lojtari i ndeshjes duke shënuar 2 gola dhe duke asistuar 1 për Lautaron.

Menjëherë pas kësaj sfide, mediat italiane shkruajtën se Lukaku është rikthyer dhe ka rigjetur formën e tij, dhe sigurisht kjo gjë do të ndikonte tepër pozitivisht për këtë fazë të fundit të sezonit për Interin.

Nga ana tjetër, Juventus nuk po mundet të ngrejë kokë në kampionat.

Në trendeshjet e fundit, bardhezinjtë regjistrojnë tre humbje, ndaj Lazios, Sassuolos dhe Napolit.

Gjithsesi, kjo sfidë vështirë të thuhet se cili ekip është favorit, pasi gjithmonë ka qenë e paparashikueshme, ashtu siç janë të gjithë derbit e ligave. Inzaghi do të bëjë sot pa Handanovic i cili është i pezulluar për shkak të kartonit të kuq, pa Mkhitaryan i cili thuhet se ka arsye personale dhe pa Skriniar normalisht pasi i është nënshtruar një operacioni në shpatull. Nga ana tjetër, Juventus do të bëjë pa Cuadrado i cili u ndëshkua me kartonin e kuq dhe pa Kaio Jorge, por në pikëpyetje mbetet edhe Kean.

Interi pritet ta fillojë ndeshjes sot me Onana në portë, ndërsa në mbrojtje treshja Darmian, Acerbi dhe Bastoni.

Mesfusha do të përbëhet si gjithmonë nga pesë lojtarë, ku në anët e saj pritet nga minuta e parë Dumfries dhe Dimarco, ndërsa në qendër Barell, Brozovic dhe Calhanoglu. Sulmi do të ketë padyshim Lautaron dhe partneri i tij do të jetë një mes Dzeko dhe Lukaku, edhe pse belgu mendohet të jetë favorit ndaj boshnjakut.

Juventus pritet të startojë me Perin në portë, Gatti, Bremer dhe Danilo në mbrojtje. Mesfusha pritet të përbëhet nga De Sciglio, Miretti, Locatelli, Rabiot dhe Kostic, ndërsa sulmi me Di Maria dhe Vlahovq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat