I grabitën 1,2 milionë euro në shtëpi, zbulohen detajet e natës së tmerrit të Shkodran Mustafit

Futboll

I grabitën 1,2 milionë euro në shtëpi, zbulohen detajet e natës së tmerrit të Shkodran Mustafit

Më: 26 prill 2023 Në ora: 23:24
Shkodran Mustafi me gruan e tij

Shkodran Mustafi ka qenë një nga ata futbollistë të cilët në vitet e fundit janë bërë viktima të grabitjeve në shtëpi.

Futbollisti me origjinë shqiptare, i cili aktualisht është pjesë e Levantes, rreth një vit më parë u bë viktimë e një grabitje dhe tashmë janë zbuluar detaje nga nata e tmerrit që kaloi në shtëpinë e tij, teksa nuk janë gjetur ende autorët e ngjarjes.

Portali “Caso Abierto” ka treguar se çfarë kanë marrë nga shtëpia e futbollistit në rrethinat e Valencias hajdutët.

Janë 12 orë dore me vlerën rreth 800 mijë euro të modeleve Rolex, Patek Philippe apo Audemars Piguet.

Pastaj 8 çanta me vlerën thuajse 50 mijë euro, te Chanel, Hermès dhe Louis Vuitton, unaza, byzylykë dhe varëse me diamante, që vlerësoheshin rreth 280 mijë euro si dhe një shumë parash prej 11 mijë eurosh.

Ndërkohë, është zbuluar edhe dëshmia e tij në polici, ku ka treguar detajet e ngjarjes që kishte ndodhur thuajse në mesnatë, pasi futbollisti ishte kthyer nga Gjermania.

“U kthyem nga udhëtimi, unë dhe gruaja ime ishim në sallon duke parë televizor kur dëgjuam një zhurmë.

Pamë dhomën e fëmijëve dhe ata po flinin, gjithçka ishte normale.

Por pastaj dëgjova zhurmë që erdhi nga ballkoni. U afrova të shihja dhe dikush nga jashtë nisi të godiste xhamin me një lloj çekiçi.

I thirra gruas që të telefononte policinë dhe shkova me vrap në dhomën e fëmijëve. I mora të dy dhe u mundova të gjeja gruan, e cila kishte aktivizuar butonin e panikut.

Shkova të lija fëmijët në dhomën e lojërave, por u përballa me dy nga hajdutët.

Një nga ata ishte me një çekiç në dorë dhe më ndaloi që të mbyllja derën. Më kërcënoi dhe më tha të shkoja të ndalja alarmin. E bëra, por vendosa kodet gabim”, ka treguar Mustafi.

Ata dy kishin futur në shtëpi edhe hajdutin e tretë dhe më pas kishin marrë Mustafin dhe gruan e tij në pyetje duke i kërkuar të tregonin se ku kishin gjërat me vlerë. Gjetën disa gjëra në rafte por kërkuan të dinin ku ishte kasaforta.

“Nuk e dimë se si ishin në dijeni të ekzistencës së saj. Gruaja e hapi, i dha para dhe një kuti me tre orë dore. Por hajdutët e shtynë tutje dhe morën gjithçka tjetër brenda”, tha Mustafi.

Pasi hajdutët kishin marrë gjithçka me vlerë, i kishin mbyllur në sallën e lojërave dhe i kishin thënë që të mos telefononin policinë. Por Vjosa Kaba, bashkëshortja e futbollistit, ia kishte dalë të kontaktonte me forcat e rendit, që për fat të keq, nuk kishin mbërritur në kohë për t’i kapur hajdutët.

Policia ende nuk ka gjetur se kush janë keqbërësit që vodhën gjëra me vlerë mbi 1,2 milionë euro, por duket se të gjithë janë të bindur se bëhej fjalë për profesionistë, pasi kishin planifikuar gjithçka me detaje, duke iu shmangur kamerave të zonës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat