Superliga e Kosovës me tre derbi

Futboll

Superliga e Kosovës me tre derbi

Më: 2 maj 2023 Në ora: 17:02
Pamje nga një ndeshje

Superliga e futbollit do të rikthehet këtë mesjavë me ndeshjet e xhiros së 32-të.

Tri ndeshje derbi na presin mes së mërkurës dhe së enjtes në ligën elitare të futbollit.

Dueli kryesor do të jetë ai mes Ballkanit me Prishtinën.

Therandasit nuk kanë më vend për gabime nëse duan të mbesin në hap me titull të kampionit pasi e shohin veten në pozitën e dytë me një pikë më pak se liderja, Drita.

Nga ana tjetër, finalistja e Kupës, Prishtina do të kërkojë pikë në Suharekë për të mbetur në hap me Gjilanin, i cili është i treti, pozitë kjo që çon në Evropë.

Gjilanasit, nga ana e tyre do ta presin ekipin në formë, Dukagjini.

Klinasit kanë ende ambicie për të shkuar në Evropë pasi janë gjashtë pikë prapa “Skifterave”, andaj këtë lojë e kanë si një finale dhe për t’u fituar.

Kurse, Gjilani nuk guxon të gabojë në shtëpi nëse dëshiron ta ruajë distancën me ndjekësit që e lakmojnë pozitën e tij.

Ndërkaq, liderja Drita do ta vizitojë Llapin.

Llapjanët, edhe pse ne vendin e gjashtë, nuk janë dorëzuar ende dhe do ta synojnë Evropën deri në fund përmes kampionatit, pasi këtë radhë u eliminuan nga Kupa.

Edhe “Intelektualët” i kanë bërë llogaritë e tyre dhe nga “Zahir Pajaziti” duan të kthehen me pikë të plota për ta ruajtur pozitën e lidershipit.

Në dy duelet tjera të kësaj xhiroje do të ketë përballje direkte mes klubeve që rrezikojnë të bien nga liga elitare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat