Ademi uron Rrahmanin: Krenohemi me arritjet tuaja

Futboll

Ademi uron Rrahmanin: Krenohemi me arritjet tuaja

Më: 5 maj 2023 Në ora: 11:15
Rrahmani

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, të enjten mbrëma ka shkruar historinë, duke u shpallur kampion i Italisë me Napolin. Kjo e fundit riktheu titullin e Serie A, pas 33 vjetësh.

Kapiteni i Dardanëve dha kontribut të jashtëzakonshëm në këtë rrugëtim të Napolit, derisa u bë futbollisti i dytë nga Kosova që arrin majat e suksesit në Itali, pasi 83 vjet më parë ishte Naim Kryeziu, i cili kishte fituar titullin e kampionit me Romën.

Për suksesin e arritur mbrëmë, kapitenin Amir Rrahmani e ka përgëzuar edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

“Urimet më të sinqerta për titullin e kampionit në Serie A, kapiten Amir Rrahmani.

Ju e keni udhëhequr ekipin tuaj S.S.C. Napoli, në një sezon të jashtëzakonshëm. Suksesi juaj është dëshmi e talentit, përkushtimit dhe punës së palodhshme që keni bërë ndër vite.

Në emër të komunitetit të futbollit në Kosovë, ju përgëzoj për këtë sukses dhe ju falënderoj për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në ekipin tonë kombëtar.

Kam shpresa të mëdha se suksesin e radhës do ta festojmë së bashku në fanellën dardane. Krenohemi me arritjet tuaja dhe ju dëshirojmë edhe shumë trofe tjerë në karrierë.

Shihemi së shpejti për dy ndeshjet e rëndësishme të qershorit kundër Rumanisë dhe Bjellorusisë me fitore. Me Kosovën në Evropian”, ka shkruar kreu i FFK-së në profilin e tij në Instagram.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat