Feyenoord, një hap larg titullit!

Futboll

Feyenoord, një hap larg titullit!

Më: 7 maj 2023 Në ora: 18:34
Feyenoord

Feyenoord, vetëm një fitore larg titullit të 16-të kampion në Holandë. Skuadra e Arne Slot doli triumfuese në ”Van Donge&Roo Stadion” përballë Excelsior në derbin e Roterdamit me rezultatin 2-0.

Për kryesuesit e Eredivisie fitorja nuk u vu kurrë në dyshim teksa kontrolluan që nga minuta e parë dhe diktuan ritmin ndaj kundërshtarit.

Për këtë i ndihmoi dhe goli i shpejtë në minutën e 9′, aty ku Igor Paixao dhe Santiago Gimenez kombinuan shkëlqyeshëm me njëri-tjetrin për golin e avantazhit.

Braziliani hodhi një harkim të shkëlqyer drejt zonës dhe sulmuesi përfitoi nga pasiguria e mbrojtjes dhe goditi saktë me kokë në fundin e rrjetës.

Feyenoord ruajti një ritëm konstant edhe në pjesën e dytë, aty ku shënoi dhe golin e qetësisë, sërish me Santiago Gimenez. Në minutën e 75′, meksikani shfrytëzoi asistin perfekt të Quinten Timber dhe përballë portierit nuk gaboi në shenjestër.

Festa nuk mungoi në fundin e sfidës mes tifozëve të shumtë të Feyenoord dhe lojtarëve, të cilët e shohin veten më pranë objektivit madhor.

Skuadrës roterdamase do t’i duhet dhe një tri pikësh për të siguruar matematikisht titullin që i mungon prej sezonit 2016/17 dhe këtë do të kërkojë ta bëjë që në javën e ardhshme në shtëpi, aty ku do të presë Go Ahead Eagles.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat