Tirana 5×5 – Kastriotët është finalja

Futboll

Tirana 5×5 – Kastriotët është finalja

Më: 9 maj 2023 Në ora: 16:23
Pamje nga një ndeshje

Kampionati Kombëtar i futbollit 5×5 në zonën e Tiranës ka njohur tanimë dy ekipet finaliste, pasi mbrëmjen e kaluar u luajtën dy ndeshjet gjysmëfinale të këtij edicioni futbollistik.

Tirana 5×5 dhe Kastriotët siguruan biletat për në finale pas një gare të gjatë, që ka nisur që prej muajit tetor të vitit të kaluar, teksa 32 ekipet më të mira në 7 grupet e kryeqytetit kishin kaluar në fazën play-off.

Në dy ndeshjet gjysmëfinale të zhvilluara dje, Tirana 5×5 mundi me penallti 3-2 skuadrën e Çamërisë, pasi koha e rregullt u mbyll me rezultatin 2-2, në një sfidë mjaft të luftuar dhe emocionuese.

Po të njëjtën spektakël dhuroi edhe sfida tjetër gjysmëfinale mes ATS dhe Kastriotëve, që gjithashtu u vendos nga 11-metërshat, pasi koha e rregullt u mbyll me shifrat 2-2.

Sakaq, me penallti, Kastriotët triumfuan me shifrat 5-4, duke siguruar biletën për në finalen e këtij edicioni.

Departamenti i Futbollit Amator në FSHF do të bëjë me dije së shpejti edhe se kur do të zhvillohet finalja e madhe e këtij edicioni për zonën e Tiranës.

Ky kampionat zhvillon edicionin e tij të tretë nën kujdesin e Federatës Shqiptare të Futbollit, teksa ka tërhequr shumë të apasionuar pas këtij sporti që kanë krijuar skuadrat e tyre dhe kanë garuar në kampionatet e organizuara nga FSHF në disa zona të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat