Fotoja ikonike Materazzi - Rui Costa

Futboll

Fotoja ikonike Materazzi - Rui Costa

Më: 13 maj 2023 Në ora: 14:58
Materazzi - Rui Costa

Duke folur për mikrofonat e BBC-së, Stefano Rellandini, fotografi i Reuters, ai që bëri foton tashmë ikonike, e cila tregon Marco Materazzi dhe Rui Costa duke parë bombat tymuese në derbin e Madoninës së vitit 2005, i përshkroi ato momente kështu:

“Tifozët filluan të hedhin objekte dhe bomba tymuese pa u ndalur, për 15 ose 20 minuta. Ishte si një luftë.

Tensione ka sa herë që luhet derbi mes Milanit dhe Interit në ‘San Siro’. Sapo shkel në atë fushë, mund ta ndjesh se nuk është vetëm një ndeshje futbolli.

Është diçka më shumë. Në atë moment fusha ishte zhytur plotësisht në mjegull, nuk shihej asgjë. Edhe sikur të doje të fotografoje dikë të plagosur, ishte e pamundur”.

18 vite më vonë, ai është ulur në zyrën e tij në Paris, ku punon si redaktor i “Agence France Presse”. Ai e shikon me sytë e shndritshëm, që shkëlqejnë përmes syzeve, teksa shpjegon kuptimin e fotografisë:

“Miqësia. Kjo foto më kujton se futbolli nuk është vetëm zënkë mes tifozëve. Nuk janë vetëm paratë në lojë, nuk është vetëm biznes. E di që lojtarët e ekipeve të ndryshme janë miq, hanë së bashku në restorante dhe kalojnë kohën e lirë së bashku. Kur e shikoj atë foto, më kujtohet se futbolli është loja më e bukur në botë.

Po shikoja përmes kamerës sime, duke kërkuar një fotografi që të paraqiste atmosferën dhe çfarë po ndodhte në atë kohë. Papritur, ndalova sepse pashë Materazzi dhe Rui Costa pranë njëri-tjetrit. Nëse e mbani mend, Materazzi në atë kohë nuk kishte reputacionin më të mirë, ishte një lojtar vërtet i vështirë dhe donte të fitonte me çdo kusht, gjë që do ta shihnim të gjithë më vonë në Kupën e Botës 2006.

Rui Costa ishte më shumë një artist, lojtar më i butë. Mënyra se si ai luante futboll ishte poetike. Kështu që gjëja e parë që mendova ishte: uaaaa, sa e çuditshme! Këtu janë dy lojtarë të ndryshëm nga skuadra të ndryshme, me dy stile futbolli krejtësisht të ndryshme, që qëndrojnë pranë njëri-tjetrit si miq”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat