Ademi e vlerëson kontributin e Fehmi Podvoricës

Futboll

Ademi e vlerëson kontributin e Fehmi Podvoricës

Më: 14 maj 2023 Në ora: 14:31
Fehmi Podvorica

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se kontributi i Fehmi Podvoricës në futbollin e Kosovës ishte i jashtëzakonshëm dhe nuk mund të shprehët me fjalë. 

I pari i FFK-së ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së ish-futbollistit. 

Podvorica i cili jetonte në Gjermani kishte luajtur për skuadrat si Ramiz Sadiku, KF Llapi FC, Kosova München e KF Atdheu. 

"Mora lajmin për ikjen në amshim të mikut tim, ish-futbollistit të njohur llapjan, Fehmi Podvorica.

Një lajm i trishtë për të gjithë ne që e njohëm, por gjithashtu edhe për komunitetin e futbollit në Kosovë dhe Gjermani.

Fehmiu, ose siç e njihnim të gjithë, Rista, ishte një njeri i veçantë e i hareshëm, me një pasion të madh për futbollin. Ai i kushtoi tërë jetën lojës së dashur të futbollit dhe ishte një shembull pozitiv për shumë të rinj që synonin të bëheshin futbollistë profesionistë. Kontributi i tij në futbollin e Kosovës ishte i jashtëzakonshëm dhe nuk mund të shprehët me fjalë.

Për ata që e njohën atë personalisht, ai ishte vërtet një mik i veçantë dhe i respektuar. Rista kishte një karizmë të veçantë dhe nuk iu tremb syri as në momentet më sfiduese, siç ishte periudha e rezistencës ndaj okupatorit serb. Bashkë me gjeneratën e tij, Rista luajti një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit të futbollit të Kosovës.

Ai nuk ishte vetëm një lojtar i shkëlqyeshëm, por gjithashtu një organizator dhe udhëheqës i suksesshëm. Rista ishte aktiv në organizimin e shumë ngjarjeve të rëndësishme të futbollit në Kosovë dhe Diasporë, si dhe ishte udhëheqës i klubit të futbollit 'Atdheu' në Augsburg, duke ndihmuar në ngritjen e vetëdijes dhe promovimin e futbollit shqiptar në nivel ndërkombëtar.

Më këtë ditë të pikëllimit, kujtoj momentet e hareshme me të, sa herë që vinte për pushime në vendlindjen e tij në Podujevë. Kafenetë tradicionale llapjane na bashkonin me Ristën dhe shumë ish-futbollistë të gjeneratës së tij, ku ndanim kujtime nga ato vite të vështira të rezistencës ndaj armikut, por flisnim me krenari edhe për arritjet e tanishme të futbollit kosovar.

Rista do të na mungojë të gjithëve ne që e njohëm, por ai gjithmonë do të mbetet në mendjen dhe zemrën tonë si një njeri i veçantë dhe i paharrueshëm.

Pusho në qetësi në parajsë, miku im!", ka shkruar Ademi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat