Lautaro rikonfirmohet

Futboll

Lautaro rikonfirmohet

Më: 17 maj 2023 Në ora: 15:58
Lautaro

Mungoi nënshkrimi i tij për ta bërë punën edhe më ‘të kompletuar’, për të konfirmuar trendin që e sheh atë ‘zjarr’ në derbin e Madoninës. Golat e Lautaro Martinez janë si një ‘taksë’ që Milani tashmë ka mësuar ta paguajë vazhdimisht, jo vetëm në Itali, por prej mbrëmjes së të martës edhe në kontekstin europian.

‘Putra’ me të cilën ‘Toro’ goditi ‘Djallin’ mu në zemër është një fjalë që nënkupton eleminim për kuqezinjtë, të dënuar për të tetën herë nga argjentinasi në karrierë dhe për më tepër, në të gjitha garat. Katër ‘vula’ në Serie A, dy në Kupën e Italisë dhe një tjetër në Superkupën e Italisë, të luajtur në Riad më 18 janar, si dhe qartësisht goditja më e fundit që i dha Milanit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Askush tjetër nuk ka shënuar më shumë ndaj kuqezinjve qysh nga sezoni 2018-2019, ai i zbarkimit të ‘Toro’ në kryeqytetin lombard.

Një tjetër mbrëmje e keqe për Milanin ajo e së martës, skuadra më e shënjestruar së bashku me Cagliarin nga argjentinasi zikaltër, i cili arriti kuotën e 99 golave gjithsej për zikaltrit.

Arritja e golit prestigjioz numër 100 në ndeshjen e dytë të euro-derbit ndoshta do të kishte qenë ‘qershia mbi tortë’ për kampionin e botës prej dhjetorit të kaluar.

Për më tepër nëse do ta kishte rrumbullakosur “100” në një mjedis me atmosferë të bujshme, që vetëm ‘San Siro’ është në gjendje ta ofrojë.

Megjithatë, Lautaro mund t’i gëzohet një tjetër arritjeje personale, që nuk mund të mos e bëjë të lumtur: përveç se vulosi kalimin në finalen e Stambollit, me 10 gola parakaloi edhe Diego Milito në renditjen e zikaltërve argjentinas më ‘pjellorë’ në Champions League.

Nuk është rastësi, pra, që Romelu Lukaku i shërbeu atij pasimin vendimtar, me të cilin mirëkuptimi duket se është kthyer në nivelet më të larta historike. Një rrethanë që kishte ndodhur tashmë në Empoli dhe kundër Lazios, kur ‘Big Rom’ ishte maskuar si një njeri asistues për të dërguar partnerin e tij te goli, në një version ultra të përditësuar të ‘LuLa’, që i ka dhënë shumë gëzime në të kaluarën skuadrës zikaltër.

Marrëveshja e tij me belgun është një nga pikat kyçe të rilindjes së Interit, tashmë në fitoren e tetë radhazi, me 22 gola të shënuar dhe vetëm 3 të pësuar. Periudhë kjo, në të cilën Lautaro mori pjesë më shumë se aktivisht, me një bilanc prej 7 golash ​​personalë dhe 2 asisteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat