Asllani mund të ngre trofeun e lavdishëm

Futboll

Asllani mund të ngre trofeun e lavdishëm

Më: 10 qershor 2023 Në ora: 12:06
Kristjan Asllani

Ndonëse e nisi mirë sezonin, Kristjan Asllani ka humbur disi terren në periudhën e fundit tek Interi, ndonëse ai ka qenë gjithmonë gati dhe është përgjigjur me performanca fantastike, sa herë i është kërkuar.

Dhe në gatishmëri nga stoli do të jetë edhe në mbrëmjen e sotme, në Stamboll, një natë në të cilën ai mund të ketë mundësinë që të fusë emrin e Shqipërisë në historinë e Ligës së Kampioneve.

Arsyeja është se deri tani, asnjë shqiptar nuk figuron që të ketë shijuar trofeun më të rëndësishëm për klube.

Më lart deri tani qëndron Marash Kumbulla, i cili fitoi sezonin e kaluar, për më shumë në Tiranë, Ligën e Konferencës me Romën, por mbase, nëse Interi do të bëjë gjithçka në perfeksion, Asllani do të ngjitet në Olimp.

Organizatori shqiptar ndoshta ka marrë pak minutazh sivjet, por nga sezoni i ardhshëm pritet që situata të ndryshojë, duke qenë se Brozoviç me shumë mundësi do të largohet në merkato dhe ai do të jetë zëvendësuesi i parë i Çalhanoglusë dhe Mikhitarianit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat