Rekordet e veçanta të Manchester Cityt

Futboll

Rekordet e veçanta të Manchester Cityt

Më: 11 qershor 2023 Në ora: 19:13
Manchester City

Numri 3 është numri magjik për Manchester City! Premier League, FA Cup dhe trofeu që e kishin pritur prej shumë kohësh, Champions League, u fituan brenda një sezoni. Duke e bërë City-n skuadrën e dytë angleze që siguron këtë arritje madhështore, tripletën, pas United në 1999.

Kritikuesit e The Citizens fokusohen tek numri 115, numri i akuzave të Man City për shkeljet në FFP (fair-play financiar), akuza të shumta që vetë klubi i mohon në mënyrë kategorike. E megjithatë, për drejtuesit, stafin teknik, lojtarët dhe tifozët e City-t rëndësi kanë vetëm trofetë e koleksionuar.

Që e lartësojnë skuadrën në një nivel të lartë të futbollit kontinental. Në tentativën e 13-të, City më në fund e fitoi kupën me veshë të gjata, duke u bërë skuadra e gjashtë angleze që e siguron atë. Pas Liverpoolit (gjashtë herë fitues), Manchester United (tri herë fitues), Chelsea dhe Nottingham Forest (dy herë fitues) dhe Aston Villa-s.

Ka qenë një pritje jashtëzakonisht e gjatë për Blutë, marrë në konsideratë shifrat kolosale që janë shpenzuar që prej vitit 2008. Kur klubi u mor në pronësi të Sheikh Mansour Bin Zayed Al Nahyan. Që kur u rikthye të merrte pjese në kompeticionin më elitar të Europës në sezonin 2011/12, City ka qenë pjesëmarrës i rregullt.

Duke arritur tre çerekfinale, dy gjysmëfinale dhe dy finale. Më herët e humbën ndaj Chelsea në 2021, por i nxorën leksionet ndaj zikaltërve të Interit. Finalja e së shtunës ishte ndeshja e 61-të sezonale për Man City. Dhe për më tepër i solli fitoren e 44-t të edicionit futbollistik.

Skuadra e Guardiolës e mbylli në mënyrën e duhur këtë sezon që e nisi që më 30 Korrik të vitit të kaluar, kur luajti finalen e Community Shield ndaj Liverpool. Dhe përgjatë gjithë sezonit shënoi plot 150 gola, 100 prej të cilëve erdhën në Etihad.

Tripleta është një arritje e re në historinë relativisht të re të Man City, por jo në CV-në e Pep Guardiolës. I cili arriti diçka të ngjashme edhe në 2009, kur fitonte La Liga-n, Copa del Rey dhe Champions League me Barcelonën.

Tashmë, spanjolli bëhet trajneri i parë në histori të futbollit që fiton tripletën me dy skuadra të ndryshme. Trajneri katalanas siguroi fitoren numër 300 si trajner i Man City-t ndaj Interit, në ndeshjen e 413-të si timonier i the Citizens.

Manchester City i bashkohet një kategorie të artë ekipesh europiane që më parë kishin fituar tripletën si: Barcelona, Bayern Munchen, Man.United, Ajax, Celtic, PSV Eindhoven dhe Inter.

Një sezon i jashtëzakonshëm, fenomenal dhe absolut që përfundon sipas skenarit të dëshiruar për Pep Guardiolën dhe kompaninë që kishin kaq shumë vite që e tentonin dhe shpresonin.

Çfarëdo që të ndodhë në sezonin e ardhshëm, Man City do të mbetet përsëri skuadra për t’u mundur!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat