Zekiç kryen stërvitjen e parë me Partizanin

Futboll

Zekiç kryen stërvitjen e parë me Partizanin

Më: 13 qershor 2023 Në ora: 16:09
Zoran Zekiç

Pas firmës, menjëherë në fushë. Zoran Zekiç nuk ka humbur kohë, duke nisur punën si trajneri i ri i Partizanit. Me grupin në dispozicion, tekniku kroat zhvilloi seancën e parë stërvitore në “Arenën e Demave”, që shërbeu edhe si një prezantim me futbollistët.

Zekiç mori vendin e lënë bosh në pankinën e kampionëve të Superligës, pas largimit të italianit Xhovani Kolela pak ditë nga fundi i sezonit të shkuar.

Bashkë me trajnerin, klubi ndryshoi edhe stafin teknik, duke larguar drejtorin Elton Marini dhe besuar rolin e rëndësishëm Arbër Abilaliaj.

Ish-sulmuesi nuk ka patur kohë për t’u ambjentuar, pasi pjesmarrja në raundin eliminator të Champions League afron nisjen e sezonit për Partizanin dhe trajneri Zekiç nuk duhet të ketë dyshime mbi lojtarët që do të afrohen apo ata që do largohen në merkaton e verës.

Blerja e parë në sulm për teknikun kroat është ajo e Albers Kekos, sulmuesit 21-vjeçar që spikati në sezonin e fundit të Kategorisë së Parë me Korabin, duke shënuar 14 gola. Ai ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me opsion rinovimi.

Ndërkohë, Partizani është shumë pranë goditjes së madhe në tregun e transferimeve, pasi kërkon të afrojë në Superligë, ish-futbollistin e kombëtares Eros Grezda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat